TIRANE- Java e parë e janarit ka nisur me një rritje të ndjeshme të çmimit të hidrokarbureve në vend. Ashtu sikurse pritej, pas vendimit të miratuar disa muaj më parë nga qeveria, kjo rritje është vënë re në shumicën e karburanteve. Përfaqësuesi i Shoqatës së Hidrokarbureve, Bardhi Sejdarasi, në një intervistë për median, tha se, edhe nëse kanë rezervë, shoqëritë tregtare të karburanteve sërish do ta rrisnin çmimin, pasi vendimi i qeverisë i detyron ata që të derdhin në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve 8.4 lekë për çdo litër karburant që nga dita e parë e këtij viti. Sipas tij, çmimet e rritura kanë ndikuar ndjeshëm në rënien e konsumit të karburanteve.

Për çdo litër karburant tashmë do të duhet të paguhen 7 lekë akcizë plus dhe jo 5 lekë, sikurse ishte deri në fund të vitit të kaluar, si taksë qarkullimi. Përfshirë TVSH-në, taksa e re e qarkullimit për mjetet mbi karburantin shkon 8.4 lekë për çdo litër karburant të harxhuar. Rritja e çmimit të karburanteve në tabelat e pikave të shpërndarjes korrespondon me kohën kur dollari ka fituar pikë karshi lekut, çka i detyron importuesit të blejnë më shtrenjtë jashtë. Çmimet janë rritur më tej këto ditë edhe për shkak të acarimit më të fundit të marrëdhënieve mes SHBA dhe Iranit.

Qytetarët janë shprehur se mundohen të minimizojnë lëvizjet me automjetin e tyre për të kursyer, ndërsa taksistët thonë se ndryshimi i çmimeve do të sjellë edhe një rritje të çmimit për shërbimin e tyre, ashtu sikurse një gjë e tillë pritet edhe në shërbimet ndërqytetëse.
(sg/shqiptarja.com)