Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka filluar eliminimin nga sistemi të detyrimeve që falen nga amnistia e fundit.

Tatimet njoftojnë se kanë përfituar nga fshirja automatike deri tani rreth 105.047 tatimpagues, si në status aktiv, edhe në atë pasiv, të cilët kanë pasur në ngarkim gjoba për deklarim të vonuar të deklaratave tatimore, të tilla si deklarata individuale vjetore e të ardhurave, deklarata të TVSH-së, deklarata për destinimin e fitimit, listëpagesë e tatimit mbi të ardhurat personale dhe deklaratë tatim fitimi/tatim i thjeshtuar i fitimit etj.

Tatimet kanë ftuar të gjithë tatimpaguesit të kontrollojnë llogarinë e tyre elektronike për të konfirmuar nëse kanë përfituar nga kjo fshirje.

Nëse tatimpaguesit vlerësojnë se përfitojnë nga kjo falje dhe nuk konstatojnë fshirjen e gjobave në llogarinë e tyre, të kontaktojnë pranë zyrave të shërbimit të tatimpaguesve.

Tatimpaguesit kanë afat të dorëzojnë deri më 30 qershor çdo deklaratë të padorëzuar më parë, në mënyrë që të përfitojnë nga fshirja automatike e penaliteteve për to.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com