Talente të heshtur

Talente të heshtur

Në një dyqan kornizash, një lojë e stërmadhe formuese fëmijësh, me figura të ngjyrosura, po bëhej e rëndësishme. Copat e formuara e të ngjyrosura mbetën të fiksuara, ndërsa mijëra të tilla do ishin të pamjaftueshme për të përmbledhur e fiksuar çdo kombinacion notash e vlerash muzikore të sfumuara e krijuara në vite gjatë studimit të një violinisti, në pamundësi ruajtje e vëzhgimi të mëvonshëm. Në një tastierë të zezë e të ngushtë, me konturet e një kornize të vetme, brenda së cilës duhet te vizatosh gjithçka, dora e violinistit shëtit në hapësirën e pashënuar, pa ndarje, për të gjetur në kohë rekord notën ekzakte, për ta bashkuar me të tjera e të tjera, derisa ajo që krijohet të jetë ë njëjtë me notat bardhë e zi të shkruara në fletët muzikore.

Një alfabet tjetër i mësuar bashkë me shkrimin, shkronjat, frazat, fjalitë, fjalitë muzikore që deshifrohen bashkë me tekstet, me këndimin si lëndë. Një këndim i vështirë, të cilin e njohin pak njerëz. Nota që vendosen e ngatërrohen së bashku në një kohë të caktuar, shumë të ndryshme e të ngjashme me mësimin e veprimeve të para aritmetike. Njëra dorë lëviz në tastierën e zezë të pavijëzuar, që sa vjen e vështirësohet, duke u ngjitur në pozicione të largëta drejt asaj që quhet urë, ndërsa telat qëndrojnë njëri pas tjetërit deri në momentin e frikshëm të fëmijërisë, kur këputen papritur, pa pyetur, të lodhur nga përdorimi, e të zemëruar nga gërvishtjet. Ndryshe, fare ndryshe dora e djathtë lëviz me një tjetër ritëm, me tjetër lëvizje. Nga ky kombinim i lëvizjes, herë të shpejtë e herë të ngadaltë, krijohen pjesët e para e ato më të vështira. Befas, pa kuptuar dora e majtë i jep notës një tjetër kumbim, i cili quhet vibrato dhe pikërisht në këtë çast, violinist bëhet i rëndësishëm ndërsa harku hiqet shpejt e me forcë, për të treguar virtuozitet e madhështi, për të kaluar nga pjesa e parë te koncerti i parë, tek i dyti për të harruar pa u lodhur të parin, deri tek një vepër e njohur, nga një duet me piano tek një koncert me orkestër e dirigjent. Nga një klasë e vogël tingulli pushton një sallë të madhe ngarkuar me përgjegjësi, stres, pasion e kënaqësi njëkohësisht. Ky është instrumenti, me qindra e mijëra nota të inkuadruara në heshtje, në korniza të humbura të lëna në harresë, për të realizuar pafund vepra që fshihen, e me kalimin e kohës përmirësohën.

Vilionistia Ina Kosturi

Fletëpalosjet e koncerteve shtresojnë si relike të kohëve të shkuara, ndërsa aftësia për të luajtur gjithçka e pa shumë mundim duket se shfaqet vonë, shumë vonë. E megjithatë orët e studimit nuk pakësohën, ndërsa përgjegjësia rritet. Kutia e violinës në duar të shoqëron gjithkund si për të treguar se profesioni nuk ka të mbaruar… Tingujt e violinës bëhen të njohur për ata që jetojnë pranë e pak më larg dhe pas pak duket se ambientohen me qënien e tyre, me shqetësimin e përditshëm të studimit të gjatë e sistematik. Gërvishtjet e dikurshme e ushtrimet e rëndomta zëvendësohen pa kuptuar me melodi të njohura e të vështira. Një rrugë e gjatë me ndalesa nëpër provime të pafundme, fjalë, komente, thashethemnaja e kohëve të dikurshme, një ambicie që të ndjek përherë dhe profesioni që duket se sapo e ke filluar. Dikush lodhet, hesht, ulet në pultin e një orkestre, në klasën e qetë të një shkolle për të vazhduar profesionin rutinë, me gati të njëjtat vepra e repertorë. Suksesi i dikurshëm zbehet ngadalë, ndërsa vëmëndja përqëndrohet tek e përditshmja, e tashmja. Të tjerë rendin “kurbetçinj “rrugëve të shumta të botës,braktisin qytetet evropiane për Amerikën e Australinë ë largët, të inkuadruar në orkestra e shumë më rrallë si solistë. Të tjerë, një pjesë e shqiptarëve zgjedhin Shqipërinë. Vazhdojnë të krijojnë tablo me të tjera nota, partitura, pianistë e dirigjentë, të palodhur thuajse janë betuar për të qënë të pamposhtur, idealistë në rrugën e mundimshme të instrumentit. Notat, pasioni, ambicia stonojnë më shumë se në çdo vend me emisionet e lajmeve shqiptare, ndërsa muzika e ardhur mes shekujve këmbëngul të serviret në Tiranën e zhurmshme. Partitura që presin përtej studimit të gjejnë rast e shans të interpretohen, bashkë me ndërrimin e ministrave. Gjithòka që ndodh në këtë vend kalon përmes politikës. Të vetmet janë pjesët e kohëve të shkuara, partiturat e pandryshuara, të cilave i japin jetë me mjaft mundim instrumentistët. Violina nuk është një profesion për t u pasur zili. Me vështirësi të bën të njohur, fare pak të famshëm, po kurrsesi nuk të bën të pasur. Në kohët e sotme njërëzit janë të përqëndruar tek ndërtimi, gjithçka ngjan me një kantier gjigant. Koha e përgatitjes dhe interpretimit të një vepre muzikore, një koncert për violinë e orkestër, është e njëjtë me kohën e shpenzuar nga dikush tjetër për të ndërtuar një vepar të madhe, një pallat shumëkatësh. Jetojmë në një moment ku gjithçka është ndryshe, në një epokë të re të një jetë të shpejtë e disi tjetër. Përballë kësaj situate zhvlerësohen profesionet. Është sakrificë e madhe për një fëmijë të bëhet violinist, instrumenti fillon në një moshë kur bashkë më prindërit janë akoma të pandërgjegjshëm për çka do ndodhë më vonë. Si gjithçka dhe profesionet në sisteme e momente të caktuara vlerësohen ose e humbin vlerën. Në Shqipërinë e dikurshme profesioni i violinistit ishte i rëndësishëm. Sot duket se kohët kanë ndryshuar. Një violinë në dorë rrugëve të Tiranës krijon një efekt të çuditshëm. Në vënde të tjera ku muzika ka lindur e është zhvilluar herët, të qënit violinist përbën një të veçantë të këndshme, një dhunti që nderohet e vlerësohet.

Natyrat koncertore, stimulimi i daljes në skenë
E improvizuar në disa shkallë, një podium në një klasë, një skenë ë vërtetë me ose pa publik… Në imagjinatën e atyre që merren me art ajo realizohet kudo, barazohet me dëshirën për të qenë prezent, për t u treguar të tjerëve një poezi, një këngë, një kërcim cfarëdo… Duket se nis kështu e më pas zhvendoset në një skenë të madhe me perde të trasha të një teatri, madhështore, paksa e errët, destinacioni dhe sadisfaksioni i artistit…

Violinisti që sapo kishte nisur të “gërvishte” në violinë melodi të vërteta, përtej ushtrimeve të fillestarëve, kishte filluar ritualin e interpretimit ndaj gjithë mysafirëve të shtëpisë. Ishte ndodhur përballë një zonje të nderuar, e cila e kish ftuar të interpretonte në dhomën tjetër, për të vazhduar e qetë bisedën, ndërsa fëmija violinist ish ndjerë aq i fyer, sa ndoshta këtë do ta kujtonte vite më vonë. Kishte kuptuar në mënyrën më të saktë rëndësinë e publikut. Studimi në instrument ka një destinacion të caktuar. Ky destinacion dhe sadisfaksion i artistit, muzikantit e violinistit në çdo moshë padyshim është skena. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Çdo përpjekje, çdo sakrificë e dëshirë për sukses bëhet në emër të këtij qëlimi. Ç’kuptojmë me një term të tillë? Nuk është normale që dikujt t’i imponosh të bëhet artist apo violinist. Nuk mjafton të investosh tek një fëmijë, ta detyrosh të studiojë gjatë, ta përgatisësh teknikisht të interpretojë pjesë të vështira. Nga ana psikologjike, instrumentisti është një artist, i cili me natyrën e tij priret drejt skenës. Një pjesë e madhe e atyre që janë bërë muzikantë apo violinistë, që në fëmijëri janë tërhequr nga kënga, kërcimi apo imitimi. Në saj të dëshirës për debutim në sferën e artit, e më vonë të përkushtimit ndaj një instrumenti, kanë mundur të rreshtohen tek artistët e vërtetë. Ky lloj personaliteti në fëmijëri, ose dëshirë për sukses, për imitimin e artistëve të mëdhenj, ky lloj talenti, nëpërmjet shkollës përpunohet e merr trajtën e një arti të caktuar. Natyrat koncertore janë ato personalitete të pritura për të qenë në skenë, që kanë një lloj kënaqësie e aftësie për të debutuar, për ta bërë publik apo të dukshëm talentin, dhuntinë e tyre ndaj artit. Është një kërkesë për të qenë të vlerësuar, për t’u bërë të njohur, përtej ndrojtjes, emocioneve të një natyre normale që stepet nga publiku apo përballja me spektatorin. Një sallë e madhe, një skenë e vërtetë nuk i tremb, por përkundrazi interpretimi merr pompozitetet dhe kjo madhështi evidentohet me lojën në instrument. Debutojnë më bukur, më mirë, me më shumë emocion e pasion. Sallat e tejmbushura me njerëz i japin interpretimit atë veçanti të rrallë, ndikimin e faktorëve të tjerë, të ndjerit të rëndësishëm e me përgjegjësi. Këto natyra janë të guximshme, duke arritur të përballojnë emocionet dhe gjithë vështirësitë, në emër të kënaqësisë që u fal debutimi dhe vlerësimi i publikut. Në rastin tonë ky debutim i kalon ato shfaqje të momentit, të dikujt që këndon një këngë me pasion. Bashkë me lëvizjen e shpejtë të duarve, violinisti i nënshtrohet një procesi të brendshëm të përgjegjësisë dhe vetëkontrollit. Nëse një nxënës paraqitet në mësim dhe shfaq një lloj egoje për të bërë një figurë sa më të mirë para të tjerëve, në një instrument sedra e pëegjegjësia, bashkë me një lloj ndrojtjeje ndaj reagimit të njerëzve, mënyrës si ata do e presin debutimin, ecën paralelisht me krijimin e personalitetit. Tek natyrat koncertorte të dyja rreziqet, ai i lojës sa më të mirë dhe i pritjes apo opinionit të publikut ndaj asaj që interpretohet duket se superohet në saj të dëshirës e pasionit për të provuar madhështinë dhe kënaqësinë që të fal skena dhe koncerti në veçanti. Ndryshe nga kënga, kërkimi i suksesit në rastin e violinës bëhët më i vështirë, instrumenti dhe specifika e tij e kondicionojnë suksesin. Janë të njëjtat natyra koncertore, por në rastin tonë përballen me mënyra të ndryshme të shprehjes së artit.

Violinisti, pikturë e Ernst Ludwig Kirchner, 1937

Ky sukses nëpërmjet instrumentit është më i vështirë, sepse realizohet nëpërmjet një formimi teknik e muzikor mjaft të gjatë e të lodhshëm, aftësie e sigurie në bazë të një pune individuale, të specializuar e shumë specifike. Dalja në publik është stimulimi që i bëhet artistit, instrumentistit. Në botën jashtë i kushtohet veçanërisht kujdes veprimtarisë së fëmijëve. Kjo vëmendjë nuk është e rastësishme, ajo ndikon në formimin e mëvonshëm. Jeta artistike e fëmijëve përbën një sferë investimi e stimulimi të gjithanshëm. Jeta koncertore fillon në moshë të vogël, krahas përparimit në instrument nëpërmjet provimeve semstrale, saggio- ve, veprimtaria e instrumentistëve stimulohet nëpërmjet veprimtarive për fëmijë, nga festivalet, koncertet, konkurset, në debutime individuale e formacione të vogla, të cilat krijojnë premisat për realizime sa më të mira në skenë, debutime të vërteta në të ardhmen. Aktivizimi i shpeshtë i një violinisti ndikon në krijimin e reflekseve dhe eksperiencave, të domosdoshme për debutime të sigurta, për të sfiduar emocionet si një fenomen i pashmangshëm, për realizimin e jetës koncertore dhe koncertit në veçanti si një fenomen normal, familjarizimin me skenën dhe krijimin e reflekseve të interpretimit, krijimin e personalitetit dhe komunikimit me publikun, eksperimentimin nga njëri interpretim tek tjetri, sigurinë dhe qëndrueshmërinë për të realizuar interpretime profesionale e dinjtoze. Ndodh në Shqipëri, megjithë traditën e mire, instrumentistët përballen me skenë relativisht të mëdhenj, ndonëse instrumenti fillohet në moshë shumë të re, që fëmijë. Në këto raste shfaqen para publikut personalitete të brishta, të paambientuara me skenën. Bashkë me mangësitë e shkollës sonë, mungon kujdesi për këtë traditë të solistëve të vegjël, e cila po evolon nëpërmjet disa konkurseve e festivaleve, që krahasuar me veprimtaritë në vende të tjera, janë të pakta e të munguara. Dhe vetë violina si instrument, tek ne vjen me pak konkurse, ato kanë qenë e janë të rralla krahasuar me instrumentet e tjerë. Shpesh konkurset e instrumentistëve të vegjël shndërrohen në fusha beteje për lavdinë dhe suksesin e pedagogëve, në veprimtari më të rëndeësishme se ç’janë në të vërtëtë dhe krijojnë tek pjesëmarrësit idenë se vlerësimi tek to ka një rëndësi të jashtëzakonshme, vendos një opinion. Shpesh instrumentistët e vegjël dhe pedagogët etyre i tremben pikërisht opinionit, që mund të jetë dhe momental në një moshë të tillë. Duke qenë të rrallë konkurset shpesh krijojnë dhe një barrierë të tillë. Humbja, çmimet, thashethemnaja e konkurseve bëhën pengesa për mbajtjen në heshtje e mosmarrjen pjesë në të tilla aktivitete. Ka individë që parapëlqejnë konkurset apo veprimtaritë jashtë Shqipërisë, duke i vlerësuar si më të mira, komode, me më shumë hapësirë e rezultat. Në të tilla raste konkurset dhe larmia e tyre është aq e madhe, sa ka më shumë mundësi për të folur për suksese, që në një moshë të tillë duket se kënaqin sedrën e nxënësit instrumentist dhe pedagogut. Për instrumentistët solistë kushtet shqiptare për debutim nuk janë të përshtatshme.

Në Shqipëri ndryshe nga vendet e tjera, ka mungesë të theksuar të menaxhimit të artit. Më saktë jashtë vendit kur flasim për një nivel të caktuar interpretimi, violinisti drejtohet në një shoqëri menaxhimi, ose është menaxheri i cili zbulon talentin dhe kujdeset për gjithë veprimtarinë koncertore, kontratat… Duhet të kemi parasysh se jashte asgjë nuk është e rastësishme, ka një kalendar datash në bazë të të cilit funksionon jeta e teatrove, ka një program që koordinon gjithë veprimtarinë midis tyre. Kushtet tona nuk krijojnë klimë të përshtatshme për solistët, në sensin se ata shndërrohen në njohës të shumë profesioneve, duke filluar nga menaxhimi deri tek detajet më të imta. Në Shqipëri ka dy orkestra të cilat realizojnë aktivitet artistik, koncerte instrumentale e simfonike të inkuadruara në një sezon koncertor, realizohen dhe një numër aktivitetesh, për të qënë më të saktë pothuaj gjithmonë me të njëjtët njerëz instrumentistë e artistë. Në të kundërt çdo aktivitet i veçantë ndesh më një fond të pamjaftueshëm, i cili nuk i lë mundësi instrumentistit ose artistit në përgjitëhsi të mbetet vetëm instrumentist. Atij i duhet të përipiqet për gjithçka. I rëndësishëm nuk është vetëm fakti se skena përbën një tempull, në këtë tempull duhet të ngjitesh, duhet të të jepet ky shans, të luftosh për të krijuar mundësinë e debutimit, interpretimit. Studimi, talenti e aftësia duhen materializua, në të kundërt instrumenti ose violina hesht. Duhet të jesh i aftë në interpretim dhe po aq i aftë në gjetjen e mundësive për ta bërë publik interpretimin. Nuk mjafton të shkruash një libër, ky libër duhet të botohet. Kjo fazë e dytë më e vështirë se studimi, në vende të vogla si ky i yni me mentalitet meskin, vështirësohet shumë. Ka me dhjetëra violinistë dhe në botë, që interpretojnë në mënyrë të shkëlqyer. Një pjesë e vogël e tyre ka shanset të ngjitet në skenat më të rëndësishme, të njihet me muzikantë të famshëm, të interpretojë në skenat e teatrove të mëdhenj dhe të shpalosë këtë nivel. Si kudo puna, talenti dhe pasioni kanë nevojë për menaxhim, përkushtim, inkurajim, përkrahje, fat në momentin e duhur për të shkuar drejt skenës e suksesit.

EMOCIONET
Në të vërtetë nuk duhet pasur emocion në një profesion të këndshëm si muzika. Logjika të çon në të tilla ide, ndonëse arti përçon të tjera ndjesi. Dikush mund të çuditet me emocionet e artistit, artistët çuditen me emocionet e njerëzve të zakonshëm, të emocionuar ndoshta nga ecja në skenë, e mësuar shumë më shpejt se instumenti…

Kisha emocione. Është një frazë e përsëritur, e thënë me zë të lartë në fëmijëri, e ruajtur në heshtje në një periudhë të mëvonshme. Është sëmundja e skenës, e veçanta e këtij profesioni i cili në saj të emocioneve humbet stabilitetin, qëndrueshmërinë. Kanë një lloj vlere krahasuar me shërbimin sinoptik, ndikojnë në ndryshimin e suksesit në bazë të intensitetit dhe rolit që kryejnë në të. Dëgjohet shpesh e deri në momentin ose çastin e fundit, në provat me piano se niveli i violinistit ishte shumë i mirë, ndërsa përballja në provim solli dhe ndryshimin e interpretimit. Kjo situatë kontradiktore duket se shoqëron për vite të tëra fëmijërinë, ndërsa mosqënia e tyre duket se do shmangte bukurinë e veçantinë e lojës në muzikë. Në një provim të thjeshtë njerëz të zakonshëm emocionohen gati pa shkak. Në rastin e instrumentit për vetë përkushtimin e mundimshëm, loja e violinistit konvertohet me lavdinë personale, me një lloj personaliteti i cili cënohet. Bashkë me dëshirën për sukses, sa më shumë insistohet për debutimeme të suksesshme, si pasojë e përgjegjësisë, aq më e madhe është dhe përballja me emocionet. Natyrat koncertore dhe ato që kërkojnë sukses janë njëkohësisht natyra të brishta, tek të cilat ndikojnë mjaft ngjarje e ndodhi të parëndësishme për njerëzit e tjerë. Ata përjetojnë fenomenet fuqishëm,ndërsa gjendja e tyre shpirtërore është e ndryshueshme. Emocionohen, ndjehen shumë të aftë e të suksesshëm, në të njëjtën masë me një shkak të vogël ose fare pa shkak, ndjehen çuditërisht të pazotë. Studimi shoqërohet më këtë luhatje e dëshirë për sukses, që shndërrohet në një përpjekje për të përballuar gjithë vështirësitë e problemet e padukshme të instrumentit. Loja në instrument dhe debutimi në skenë bëhen pjesë e jetës së tyre duke e përjetuar suksesin profesional më shumë se aplikuesit e profesioneve të tjera. Skena kërkon një aftësi tjetër krahas talentit e studimit, vullnetit e pasionit. Në të mbijetojnë individë me karakter të fortë, të papërkulur nga vështirësitë e heshtura të profesionit të artistit, në një rrugë me pengesa natyrale e artificiale, të konkurrencës së vazhdueshme. N ë këtë rrugë të gjatë e të vështirë të artit emocionet shfaqen si simptomë e përgjithshme të përfshin artisët e instrumentistët, të mëdhenj e të vegjël. Që fëmijë emocionet e ndjekin instrumentistin, janë sistematike e të vazhdueshme, çdo debutim shoqërohet nga i njëjti fenomen. Çdo individ ka mënyrën e tij të reagimit shfaqjes e përballimit të situatave të tilla. Në rastet më të mira, ato ndikojnë në një lojë kryesisht më të ndjeshme, lidhen me faktin se debutimi për insrumentistin përjetohet si një eksperiencë e këndshme, e shpërblyer nga duartrokitjet e suksesi. Bashkë me proceset e tjera emocionet ndryshojnë tek individi në periudha të studimit e debutimit, ashtu si dhe loja violinistike në periudha të ndryshme të jetës. Siguria dhe studimi sistematik janë baza për zhvlerësimin e rolit të emocioneve. Vjen një moment që siguria kondicionon fenomenet e tjera dhe emocionet janë të përballueshme. Me rritjen e pjekurisë, profesionalizmit, vlera e emocionve negative vjen duke u zvogëluar. Le të dalemi në disa shembuj – Tek një nxënës ndikon si publiku, salla, gjithçka, madje dhe orari në të cilin ai interpreton para komisionit. Natyrat që emocionohen shpejt, në procesin mësimor, në një orë të zakonshme në instrument, ndikohen dhe nga prania e një personi të vetëm, muzikant ose jo, i cili ndodhet rastësisht në klasën ku zhvillohet mësimi. Për të gjithë këshillohet jo vetëm debutimi në skenë në mënyrë sa më të shpeshtë, po studimi në ambientet e populluara, mes njerëzve, në mënyrë që violinisti të ndjehet në qendër të vëmendjes, të fillojë psikologjikisht të ambientohet me idenë e dëgjimit nga të gjithë. Një tjetër mënyrë para debutimeve në saggio, provime është dhe interpretimi apo pritja në skenë e spektatorit që zë vend në sallë. Tingujt dhe interpretimi ambjentohen më natyrshëm. Sugjestionimi se salla është bosh, ose interpretimi me drita të fikura në publik, të gjitha këto maniera të një moshe të caktuar, duket se largohen me kalimin e viteve dhe shndërrimin e koncerteve në evenimente normale. Ndonjëherë duket se ndikojnë sallat e shfaqjeve, ndoshta dhe publiku. Sallat e mëdha frymëzojnë një pjesë të instrumentistëve, i japin interpretimit hapësirë, lojës temperament, madhështi e siguri. Të tjerë stepen, zvogëlohen … Disa bezdisen nga njerëzit fare pranë …Në një instrument si violina ndikon ndjeshëm përgatitja para debutimit, disa çaste para debutimit dëgjohen tingujt e violines pas skenës. Profesionalizmi dhe aftësia në interpretim shërbejnë për ekuilibrin midis një loje të kontrolluar dhe efektit çudibërës të emocioneve. Këtu qëndron dhe bukuria e interpretimit të momentit, fantazisë së çastit të interpretimit, të cilin emocionet e bëjnë të ndryshueshëm. Ruajtja e këtij ekuilibri është profesioni i vërtetë i instrumentistit.

(“Në vend të parathënies”, fragment nga libri studimor “Talente të heshtur”, I.Kosturi)

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Rusia: Administrata amerikane në largim bën gjithçka për të minuar planin e Trump për paqe në Ukrainë

Rusia: Administrata amerikane në largim bën gjithçka për të minuar planin e Trump për paqe në Ukrainë