Seria e parë e tubacioneve të çelikut të gazsjellësit TransAdriatic Pipeline tashmë është gati. Burimet zyrtare të TAP bëjnë të ditur se kompania “Salzgitter Mannesmann International” ka bërë gati 130 copë tubacione me diametër 48“. Pas përfundimit të testit të kualifikimit për prodhimin do të nisë procesi i veshjes. Me përfundimin e këtij procesi, tubacionet do të transportohen për në Kavala dhe Selanik të Greqisë, ndërsa në Durrës do të mbërrijnë në pranverën e këtij viti. Ndërsa “bërrylat” e tubacioneve do të instalohen përgjatë gjithë gjurmës së gazsjellësit. Ndërtimi i projektit do të fillojë në mesin e 2016-ës.