TIRANË- Autoriteti i Konkurrencës nuk ka dhënë ende një opinion zyrtar mbi koncesionin e çipave të targave për makinat, i kërkuar nga Ministria e Transporteve.
 
Burime zyrtare pranë këtij institucioni pranuan për “Report TV” se nga ana e Ministrisë është paraqitur një kërkesë për shqyrtimin e ofertës së kompanisë shqiptaro-portugeze që ka propozuar koncesionin, por e pa shoqëruar me vetë analizën e Ministrisë lidhur me këtë kontratë.

Sipas Autoritetit, një opinion zyrtar do mund të jepet vetëm pasi Ministria e Transporteve të paraqesë pranë këtij institucioni analizën e saj mbi koncesionin.

Ndërkohë që Komisionieri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të cilit gjithashtu i është kërkuar opinion mbi këtë koncesion, është shprehur se me përshtatjet e duhura me legjislacionin shqiptar, koncesioni nuk shkel të drejtat për të dhënat personale.

Koncesioni i propozuar nga një kompani shqiptaro-portugeze parashikon pajisjen e 360 mije makinave që qarkullojnë në Shqipëri me mikroçipe me një kohëzgjatje 35-vjeçare.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)