Taso me një ekspozitë
surprizë në Galerinë FAP

TIRANE- "Mikropolis", një ekspozitë eksperimentale e artistit Anastas Kostandini-Taso është prezantuar në galerinë FAP, Pranë Akademinë së Arteve Tiranë që nga data 8 Mars dhe do të jetë e hapur deri më 13 mars 2012. Ekspozita prezanton një pjesë tepër të veçantë të aventurës së tij artistike, me vepra të përzgjedhura prej koleksionit të gati katërmbëdhjetë viteve të fundit. Instalacione, kolazhe, montazhe, materiale nga më të ndryshmet, prerje e ngjitje copash bashkohen për të rikrijuar imazhin e realitetit që Taso prek çdo ditë.
I konceptuar si fluturimi simbolik mbi botë, copëzat përbërëse të realitetit, mikro-botët, të cilat i përmbledh dhe ribashkon në trajtën e një mozaiku, vepra prezantohet si një vështrim tepër personal për botën. Tituj të veprave që lexohen si "Paris, Arlekini", "Tempulli i piktorëve", "Portrete groteske", "Distilacion" "Reliev urban", "Aakustikë Muzikore", "Zogu mbi ujëra", "Dea", "Manteli i poetit", "Dritarja e Ateliesë", janë siç do të thoshte artisti Gazmend Leka në fjalën e tij përshëndetëse, "si një hartë e plotë që të bënë të lëvizësh me lehtësi nëpër urbanistikën e mendimit dhe shpirtit të artistit". Piktori Anastas Kostandini jeton prej vitesh në Pogradec dhe megjithatë distanca nga kryeqyteti nuk e ka shkëputur atë me artet bashkëkohore. Piktori i njohur Gazmend Leka e ka kujtuar si bashkëkohës në pikturë, shkurt si "Tason e fillimeve", i cili frymëzoi për një kohë të gjatë studentët më pikturat e tij, dhe me vizatimet e mrekullueshme, me lirinë shpërthyese të fanatzisë së tij. Humori grotesk, sfida dhe antikonformizmi, janë elementët me të cilët artisti luan në këtë arratisje nga diktatura dhe autoriteti i tablosë. Instalacione, kolazhe, materiale nga më të çuditshmet, prerje copash që bashkohen për të të projektuar imazhin e realitetit që Taso prek çdo ditë, janë hutuese, jo vetëm për kritikët e artit. Ekspozita "Mikropolis" duket gati si një çmenduri artistike. E gjitha kjo vjen prej energjisë së piktorit për të dëfryer në liri të plotë. Pas viteve '90, Taso pohon se nisi kjo kthesë e ristrukturimit të plotë të veprës në forma të reja, "për t'u dëfryer nga liria. Prirjet dhe tendencat e mëhershme për humor, shpërthime erotike, emocione dhe figura butaforike, para rënies së komunizmit iu privuan, por tashmë ai pohon se ka shtuar dozën e shfrimit të perceptualitetit dhe lirisë krijuese, duke prekur hera-herës pragje artistike të ndaluara, si kubizmi apo dadaizmi, që ai ndjen se shtrihet në këtë që të sfidojë ekzistencën në një vendi të vogël, që i sugjeron asgjë, siç është Pogradeci. Taso nuk e ka frikë më vogëlsinë e mikroqytetit. Duket se i mjafton bota e pasur dhe fantazia për ta kthyer këtë "mikropolis" në një potpuri kompozimesh artistike, ku përfshihen skulpturat dhe instalacionet me materiale të rënda, që transfigurohen në vepra të magjishme për syrin e vizitorit.
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Kumti letrar i Ismail Kadare’, sonte në 22:00 ‘Elektroshok’ nga profesor Ardian Ndreca në Report Tv

‘Kumti letrar i Ismail Kadare’, sonte në 22:00 ‘Elektroshok’ nga profesor Ardian Ndreca në Report Tv