Pas aksioneve shtrënguese, për një kategori biznesi duket se po afron mundësia e amnistisë fiskale. Sipas burimeve nga ministria e Financave, qeveria duket se po merr në konsideratë mundësinë e ndryshimit të ri të ligjit të procedurave tatimore, për të amnistuar ato biznese të vogla, të cilat kanë ulur abuzivisht xhiron, duke shpëtuar nga detyrimet e biznesit të madh. Por, gjatë aksionit kundër informalitetit, administrate tatimore ka zbuluar një numër të madh biznesesh, të cilat deklarohen si të vogla, kur në fakt kanë një xhiro reale më të lartë se 8 milionë lekë në vit dhe rrjedhimisht duhet të hynin tek biznesi i madh. 

Zbulimi
Sipas burimeve, pjesa më e madhe e këtyre bizneseve janë zbuluar në evazion nga kryqëzimi i faturave me bizneset e mëdha, të cilët janë furnitorët e tyre. Edhe pse aksioni kundër informalitetit është përqëndruar në 300 korporatat e mëdha të vendit, inspektorët e Tatimeve janë duke kontrolluar të gjithë zinxhirin e tyre tregtar, përfshirë blerjet apo shitjet që ato bëjnë tek biznesi i vogël. Nga ky kontroll është konstatuar se shitjet, që kompanitë e mëdha deklarojnë tek bizneset e vogla, në shumë raste nuk figurojnë si blerje tek këto të fundit dhe janë më të mëdha se 8 milionë lekë, që është dhe kufiri ndarës mes biznesit të madh dhe atij të vogël.