Drejtoria e Kontrollit të Specializuar pranë Administratës Tatimore ka nisur kontrollet ndaj individëve që kanë blerë automjete luksoze, të paregjistruar në organet tatimore. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit rrugor, rezulton se 400 automjete luksoze janë blerë gjatë 2023-2024, nga persona që s’kanë deklaruar të ardhura.
Administrata Tatimore u bën thirrje këtyre individëve që të deklarojnë të ardhurat e përdorura për blerjen e këtyre mjeteve, për të shmangur penalitetet që parashikon ligji.
Në këtë proces, do të përfshihen të gjithë individët që zotërojnë mjete të kategorisë luksoze, të cilët do t’i nënshtrohen një analize të hollësishme të përputhshmërisë mes të ardhurave të deklaruara, vlerës së pasurive të zotëruara dhe dokumentacionit që justifikon burimin financiar të përdorur për blerje të tilla.
“Administrata Tatimore u sugjeron individëve të deklarojnë të ardhurat e përdorura për blerjen e këtyre mjeteve në mënyrë që të shmangin penalitetet. Të gjithë individët që zotërojnë automjete të kategorisë luksoze do të përfshihen në procesin e verifikimit nëpërmjet analizës së: Të ardhurave të deklaruara pranë AT, Përputhshmërisë së tyre me vlerën e pasurive të zotëruara, Dokumentacionit justifikues të burimit financiar”, thuhet në njoftim.
Një aksion i tillë u paralajmërua në janar të këtij viti. Kur burimet nuk justifikojnë pasurinë mund të nisë një hetim administrativ. Brenda vitit në të dhënat e administratës tatimore, do të kenë akses edhe palë të treta, ose autoritetet e tjera kombëtare me qëllim ballafaqimin e të dhënave.
Sipas ministrisë së Financave, ky proces verifikimi është pjesë e luftës kundër informalitetit që do të pasohet në vitin 2026 me krijimin e një Regjistri të Pasurive të luajtshme e të paluajtshme të Tatimpaguesve.
Komente


kjo eshte si te thuash "nje bire ne uje"! makinat e perdorura, sado "lluksoze" kane cmime qesharake te deklaruara ne dogane! ne do te beni pune, nje kontroll te vilave ne resortet e TR apo bregdetit dhe i gjeni "fajtoret" mos u merrni e endrren e shqiptareve, "per tu dukur ato qe s'jane"
Përgjigju