Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një intervistë për Top Channel, ku ka theksuar se 95 për qind e shqiptarëve do paguajnë më pak. “Ne nuk heqim dorë nga ajo që kemi premtuar: kush fiton më pak paguan më pak dhe kush më shumë paguan më shumë. Pasi të kemi përfunduar programin me FMN dhe Bankën Botërore, sistemi do të bëhet i tillë që 95 për qind të paguajnë më pak. Situata është e rëndë dhe kërkon sakrifica. Me të mbaruar negociatat me FMN dhe BB, në mes të dhjetorit, shqiptarët do të kenë të rejat mbi atë çka do të vendosim së bashku me institucionet ndërkombëtare”.
Burimet nga Financat bëjnë me dije se do të varet qendrimi i qeverisë Rama nga ajo se çfarë do të nxjerrë në pah raporti i auditit të Deloitte & Touche, që këto ditë ia dorëzon Tiranës zyrtare.
Ahmetaj ka akuzuar opozitën aktuale për vështirësitë ekonomike, të krijuara tëk banorët e vendit. “I garantoj shqiptarët se premtimi ynë është në themel të programit tonë. Ne jemi duke u përfshirë në një program me FMN dhe Bankën Botërore për të stabilizuar ekonominë shqiptare dhe për ta futur në rrugën e një rritjeje cilësore. Për të arritur këtë duhet të stabilizojmë këtë gjendje të mjeruar.
Shqiptarëve do t’u duhet të bëjnë sakrifica për shkak të asaj papërgjegjshmërie të qeverisë së djeshme. Është pikërisht opozita e sotme shkaktare e rrënimit ekonomik”, u shpreh ai.Paketa fiskale ka nevojë për konsultim urgjent me grupet e interesit, ashtu si dhe projektbuxheti për 2014-ën. Ndërkohë, koha kalon me shpejtësi, por roli i auditit ndërkombëtar në këtë proces është i pazëvëndësueshëm.
Portali i deklarimit të tatimeve, jashtë funksioni
Deri ditën e djeshme, sipas një verifikimi të “Shqiptarja.com”, portali “online” i deklarimit të tatimeve nuk ishte ende funksional. Sipas burimeve të brendshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sot pritet që portali “online” i deklarimeve të tatimeve të fillojë funksionimin, duke lejuar që bizneset të regjistrojnë të dhënat e tyre elektronikisht. Në datë 22 nëntor, Ministria e Financave njoftoi se kishte mbyllur përkohësisht portalin “online” e deklarimit të tatimeve për të kryer punime mirëmbajtjeje. “Në kuadër të përmirësimit të sistemit të IT-së, për të rritur sigurinë në transmetimin e të dhënave dhe për t’u siguruar taksapaguesve një shërbim më të shpejtë dhe cilësor, DPT-ja ka nisur procesin e mirëmbajtjes së rrjetit teknologjik të informacionit”, ka bërë të ditur Ministria e Financave.
Ndërkohë, pak kohë më parë shefi i IT-së, Renald Rista u akuzua se tentoi të ndryshonte apo bllokonte të dhënat që dispononte administrata e Tatimeve lidhur me subjektet tregtare. Skandali u zbulua nga Drejtoresha e Përgjitshme e Tatimeve, Briseida Shehaj, e cila lajmëroi uniformat blu, të cilat kanë ndaluar shefin e IT-së, të kapur prej saj në flagrancë, duke tentuar të fshihte të dhënat që gjendeshin në serverin qëndror e duke lënë të dyshohet se mund të fshinte edhe skema të pazbuluara ende të mashtrimit me TVSH, gjoba, detyrime të papaguara, etj.
Ajo ngriti padi penale kundrejt shefit të IT-së, por pas vendimit të Gjykatës, gjatë procesit gjyqësor që pasoi, ai u la i lirë me kusht që të paraqitet përpara prokurorisë, kur kjo e fundit t’ia kërkojë. Ndërkaq, çështja e shefit të IT-së të DPT-së, ka bërë që ish-kryeministri Berisha të reagonte i revoltuar në sencën plenare që vijoi pas këtij skandali, duke përgënjeshtruar faktin që Rista kishte ndërhyrë në severin e DPT-së për të ndryshuar apo bllokuar të dhëna të subjekteve tregtare. Rista nuk është parë më nga kolegët e tij në ambientet e DPT-së, duke lënë të dyshohet që ai të jetë pezulluar.
Shkrimi u publikua sot (03.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)