FBI-ja ka udhëhequr një operacion i cili kishte si fokus të godiste bastet e paligjshme sportive në SHBA dhe mashtrimet në poker, ndërkohë që numri i të ndalurave ka shkuar në 30-të.
Ky operacion pati një impakt të madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi mes të ndaluarve ishin edhe ish-basketbollistë, basketbollistë dhe trajnerë të njohur siç është lojtari i Miami Heat në NBA, Terry Rozier, trajneri i Portland Trail Blazers, Chauncey Billups dhe ish-basketbollisti Damon Jones. Në pranga kanë përfunduar edhe anëtarë të familjeve kriminale Bonanno, Gambino dhe Genovese.
Shefi i FBI-së, Cass Patel, shpjegoi në një konferencë për shtyp se operacioni i basteve të paligjshme sportive dhe mashtrimeve zgjati vite dhe se çmontimi i rrjetit të paligjshëm përfshinte 11 shtete të SHBA-së.
“Është shumë e thjeshtë. Nëse je i përfshirë në industrinë ligjore të lojërave të fatit, nuk ke pse shqetësohesh. Nëse je i përfshirë në veprimtari të paligjshme, duhet të bësh të kundërtën dhe ky rast e vërteton këtë”, tha Patel.
Sportistët e arrestuar akuzohen për përdorimin e teknologjisë për të grumbulluar miliona dollarë duke manipuluar lojëra pokeri të mbështetura nga “Cosa Nostra”, familjet italo-amerikane të mafias në zonën e Nju Jorkut.
Patel ka sqaruar se Chauncey Billups dhe Terry Rozier akuzohen për pjesëmarrje në një skemë të paligjshme bastesh sportive duke përdorur informacione të brendshme të NBA-së. Billups gjithashtu akuzohet për pjesëmarrje në një skemë të mbështetur nga familjet mafioze për të manipuluar lojërat e fshehta të pokerit.
Ai përdorej edhe si imazh për të tërhequr personalitete të tjera publike që të luanin në tavolina, të cilat praktikisht ishin të pajisura me rreze X apo edhe lente kontakti për lojtarët, që tregonin se çfarë letra kishin rivalët.
Chauncey Billups, Terry Rozier dhe Damon Jones
Lajmi kryesor:
Skandali që po trondit NBA, si Cosa Nostra manipuloi ndeshjet dhe bastet! 30 të arrestuar, mes tyre basketbollistë e trajnerë










