TIRANË - KiE do të mbështesë Shqipërinë për të përmbushur objektivat që ka vënë në kuadër të procesit të integrimit të vendit. Këtë ka deklaruar drejtoresha  e Përgjithshme e Këshillit të Evropës (KiE), Verena Taylor gjatë një vizite sot në Tiranë në takimin me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha.

“Ju sigurojmë se plani ynë është të punojmë bashkë, sepse këtë që ju po bëni e bëni në radhë të parë për vendin tuaj. Prandaj  jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë për të përmbushur standardet dhe objektivat që ju keni vënë”, tha Taylor, duke shtuar se u shpreh se Shqipëria  ka ndryshuar shumë gjatë këtyre viteve dhe progresi është i dukshëm sidomos për ata që  vijnë nga jashtë vendit. Taylor theksoi se KiE do të mbështesë Shqipërinë për të përmbushur objektivat që ka vënë në kuadër të procesit të integrimit të vendit. Drejtoresha e KiE-së kërkoi gjithashtu që bashkërisht të bëhen vlerësime të projekteve të zbatuara deri tani për të cilat është ofruar asistencë.

 “Këshilli i Evropës ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në Shqipëri. Ne jemi të fokusuar  në 5 prioritetet e lëna nga Komisioni dhe për këtë ka një plan konkret masash, por nga ana tjetër po koordinojmë me ministritë e linjës  edhe  për prioritete të tjera të rëndësishme te qeverisë si Infrastruktura, Mjedisi, Energjia. Janë prioritete që i shërbejnë zhvillimit të vendit”, tha ministrja Gjosha gjatë takimit.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)