Tre shqiptarë që punonin në një shtëpi të madhe kanabisi në Greater Manchester, me vlerë pothuajse 1 milion paund dhe pozonin për foto krah bimëve narkotike, janë dënuar me burg.

Indrid Hysembelli, 26 vjeç, Xhoi Kasaj, 30 vjeç, dhe Romeo Toska, 26 vjeç, u gjetën nga policia ndërsa përpiqeshin të fshiheshin në papafingon e një njësie industriale.

Policia gjeti 889 bimë kanabisi me një vlerë rreth 986,800 paund qershorin e kaluar dhe më vonë fotografi të tre shqiptarëve duke pozuar pranë grumbujve të kanabisit.

Të hënën, Hysembelli u dënua me tre vjet e shtatë muaj burg, Toska me dy vjet e tetë muaj më 23 mars, së bashku me Kasajn, i cili u dënua me dy vjet e tre muaj.

“Ky ishte një operacion i rëndësishëm dhe shumë i organizuar për kultivimin e kanabisit, duke prodhuar drogë me vlerë pothuajse 1 milion paund dhe duke paraqitur një rrezik serioz për komunitetin lokal,” tha detektivi Christopher Brown. “Tregtia e drogës nuk është një krim pa viktima. Ajo është e lidhur ngushtë me aktivitetet e dhunshme të bandave dhe shfrytëzimin e njerëzve të cenueshëm. Këto dënime dërgojnë një mesazh të qartë se ata që janë të përfshirë në prodhimin dhe furnizimin e drogërave të paligjshme do të identifikohen, arrestohen dhe do të nxirren para drejtësisë.”

Ndërtesa ku Hysembelli, Toska e Kasaj qëndronin, ishte e siguruar fort dhe policisë iu desh të përdorte pajisje të specializuara për të hyrë. Ata gjetën katër krevate marinari, një sobë, frigorifer dhe një televizor që shfaqte pamje nga kamerat e vendosura rreth jashtë ndërtesës.

Policia tha se kushtet e jetesës ishin “jashtëzakonisht të këqija”, ndërsa konstatuan edhe furnizimin e paligjshëm me energji elektrike./BBC