Receta e parë: Musaka me perime, mish dhe domate qershi

Përbërësit:

500 gr patëllxhanë

500 gr mish të grirë

1 lç erza të thata

2 thelpi hudhër

400 gr domate qershi

500 gr patate

2 kokrra vezë

250 gr kos

kripë+ piper i zi

rigon

vaj ulliri

30 gr parmixhan

Përgatitja:

Fillimisht ngrohim furrën në temperaturën 200ºC dhe pasi lajmë dhe pastrojmë, i thajmë patëllxhanët dhe i vendosim në furrë për ti pjekur për 30 minuta. Ziejmë patatet 20 minuta. Ndërkohë vendosim tiganin të ngrohet me vaj dhe kaurdisim mishin e grirë. Kur mishi të ndryshojë ngjyrë shtojmë hudhra të copëtuara, kripë e piper të zi. Shtojmë tek gjysma e domateve qershi të ndara në gjysmë.

Nxjerrim patëllxhanët nga furra, i qërojmë lëkurën dhe e presim në feta rrumbullake. Qërojmë patatet dhe I presim ato në feta. Lyejmë tepsinë me vaj dhe shtrojmë si bazë patatet në feta. Shtojmë gjysmën e kimës me mish dhe domatet qershi. E mbulojmë kimën me feta me patëllxhanë. Spërkatim me pak vaj dhe vazhdojmë të vendosim dhe disa feta me patate. Shperndajmë kimën e mbetur. Në një tas rrahim 2 kokrra vezë, pak rigon, kos, kripë e piper dhe i përziejmë së bashku dhe e shpërndajmë mbi musaka. Vendosim disa copa domate të ndara në gjysma ose më katërsh dhe në fund e pudrosim me parmixhan. Vendosim tepsinë në furrë në temperaturën 180ºC për 25-30 minuta.

Edhe sot vazhduam me quiz-in e gatimit. Kjo recetë kushtoi 710 lekë, megjithatë pas shumë telefonatave nuk pati një fitues që të mund të gjente vlerën e saktë se sa kushtonte receta e ditës së sotme. Të gjithë mund të bëheni fitues i vlerës 2000 lekë të reja nga Conad me anë të një telefonate në numrin 044 400 101. 

Musaka me perime, mish e domate qershi

Receta e dytë: Pancakes

Përbërësit:

220 gr miell

30 gr sheqer

1 lç pluhur pjekës

2 kokrra vezë

240 ml qumësht

60 gr gjalp i shkrirë

fruta sipas dëshirës

mjalt

Përgatitja:

Përziejmë në një tas produktet e thata miell, sheqer e pluhur pjekës. Në një tas tjetër bashkojmë vezët e plota dhe 240 ml qumësht. Shtojmë produktet e thata tek tasi me produktet e lëngshme dhe i përziejmë bashkë. Në fund shtojmë gjalpin e tretur dhe i përziejmë mirë me tel vezësh. Vendosim një tigan të ngrohet në temperaturë mesatare. Kur tigani të jetë ngrohur shtojmë nga 1 lugë gjelle brumë. E hapim atë në formë rrethore me diametër 8 cm. E lëmë të piqet deri sa brumi të fillojë të krijojë flluska. I kthejmë dhe i lëmë të piqen nga ana tjetër. Por mund të vendosim feta me frutat që preferoni në brum para se ta kthejmë petullën. I shërbejmë me fruta të freskëta dhe mjalt.

Pancakes