Receta e parë: Trileçe
Përbërësit:
8 kokrra vezë
8 lgj sheqer
8 lgj miell
400 ml qumësht
400 ml qumësht i kondensuar
400 ml pana ëmbëlsire
300 gr karamel
Përgatitja:
Në një tas vendosim 8 vezë të plota. Fillojmë të rrahim ato duke shtuar pak kripë dhe gradualisht gjatë rrahjes pak nga pak 8 lugë gjelle sheqer. I rrahim deri sa volumi i vezëve rritet. Më pas me ndihmën e një site shtojmë gradualisht 8 lugë gjelle miell. Kur fillojmë të shtojmë miellin, trazimin e bëjmë me tel dore ose me spatula ëmbëlsirash.
Vendosim në tepsi letër pjekje dhe nivelojmë brumin e përgatitur. Vendosim tavën në furrë në temperaturën 170ºc për 40 minuta.
Ndërkohë përgatisim kremin me qumësht, pana, qumësht i kondensuar. Në një enë tresim qumështin e kondensuar me qumështin duke e përzier me tel dore. Më pas shtojmë kremin pana dhe e përziejmë përsëri ngadalë me tel dore.
Pasi e nxjerrim bazën e trileçes nga furra, e lëmë të ftohet pak. E kthejmë pandispanjën nga ana tjetër që të jetë e sheshtë. I bëjmë disa shpime me një shkop shishqebapi me qëllim që të përthithë kremin me 3 lloje qumështi. Shtojmë në fund kremin dhe e lëmë deri sa baza të ketë përthithur mirë. Në fund e mbulojmë sipërfaqen me caramel dhe e vendosim në frigorifer që të ftohet.
Trileçe
Receta e dytë: Qebap me vezë
Përbërësit:
500 gr mëlçi qingji
4 kokrra qepë
4 lgj vaj ulliri
Kripë dhe piper i zi
Spec djegës
4 kokrra vezë
1 e 1/2 lgj miell
Përgatitja:
Përvëlojmë mëlçitë dhe i presim ato në kubikë mesatarë. Në fillim kaurdisim qepën të prerë në fije të holla. Kur qepa të jetë tretur shtojmë mëlçitë në kubikë dhe vazhdojmë të skuqim së bashku. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi. Grijmë hollë një spec djegës dhe e shtojmë në të. I përziejmë mirë dhe shtojmë pak ujë dhe i lëmë të ziejë pak. Ndërkohë në një tas rrahim vezët. Shtojmë në të pak miell dhe vazhdojmë përzierjen. E shtojmë në tigan, ulim temperaturën dhe e lëmë të ziejë ngadalë për 8-10 minuta. E shërbejmë të ngrohtë.
Qebap me vezë
Komente












