Dhelpra ishte tashmë në kotec. Madje kishte kaluar natën duke fjetur në një nga dhomat e hotelit Hilton Washington: kështu Cole Allen arriti të fuste me vete armët që donte të përdorte në sulm. Një pushkë, një pistoletë, disa thika. Në këtë mënyrë ai shmangu filtrat e parë që u vendosen kujtdo që duhej të merrte pjesë në darkën gala me Donald Trump. Zgjedhja e atentatorit tregon se ai kishte hartuar ndoshta një plan të thjeshtë dhe kishte shfrytëzuar traditën.

Hoteli është prej dekadash selia zyrtare e pritjes së gazetarëve, një ndërtesë e madhe, e aksesueshme për këdo, dhe për këtë arsye nuk është e pamundur të bëhet një vëzhgim paraprak. Edhe pse me kalimin e kohës – dhe sidomos pas të shtënave kundër Ronald Reagan në mars 1981 – janë marrë masa kundërvepruese. Presidenti ka në dispozicion një suitë, shkallë dhe ashensorë të dedikuar, limuzina e tij e blinduar – e njohur si “The Beast” – ka një hyrje të veçantë, dhe ekzistojnë zona të rezervuara për sigurinë.

“Mburoja” përbëhet në aspektin mbrojtës nga agjentët e eskortës, ndërsa elementët e CAT janë gati të kundërpërgjigjen ndaj çdo agresori. Të parët janë të pajisur me pistoleta dhe automatikë, ndërsa të dytët mbajnë pajisje taktike, pushkë sulmi dhe pajisje optike.

Në çdo aktivitet presidencial krijohet një perimetër me rrathë koncentrikë. Ai më i jashtmi sigurohet nga policia dhe rojet lokale, të cilat duhet të kenë një kanal komunikimi me Shërbimin Sekret për t’u aktivizuar në raste emergjente.

Me rastin e atentatit në Butler, në Pensilvani, kur Trump mbeti i plagosur lehtë në vesh, dolën në pah boshllëqe në sistem, mungesë komunikimi, koordinim i dobët dhe rutina e rrezikshme që çon në nënvlerësimin e rreziqeve ose në harresën e detajeve.

Në veprimin e disa orëve më parë, Cole Allen ka kapërcyer ndoshta nivelin e parë duke rezervuar një dhomë në hotel dhe ka zgjidhur një problem të rëndësishëm logjistik: atë të armëve. Megjithatë lind pyetja nëse diçka nuk ka funksionuar në kontrollet e brendshme të hotelit. Pas masakrës së Las Vegasit në vitin 2017, e kryer nga një dhomë hoteli në Mandalay Bay ku autori kishte grumbulluar rreth tridhjetë pushkë, janë vendosur rregulla më të rrepta duke u kërkuar stafit të jetë i vëmendshëm ndaj situatave të dyshimta.

Nuk dihet ende nëse është bërë një kontroll paraprak i personave që kishin rezervuar qëndrim në hotel në të njëjtën kohë me pritjen. Por është gjithashtu e vërtetë që autori nuk duket të ketë precedentë dhe deri tani nuk kanë dalë sinjale alarmi.

Hetimi do të sqarojë gjithçka, por kjo kërkon kohë. Allen, pasi hyri brenda, priti momentin më të përshtatshëm, kur të ftuarit ishin ulur dhe “rojet” më të relaksuara. Videoja e publikuar nga mediat e tregon duke vrapuar përmes një pike kontrolli, duke i zënë në befasi disa agjentë që detyrohen ta ndjekin. Nuk arriti të shkonte larg, sepse u ndal nga rrethi i dytë i sigurisë. Megjithatë, ai arriti të hapte zjarr duke plagosur një polic, i cili u mbrojt nga jeleku antiplumb. Pasojat mund të kishin qenë shumë më të rënda.

Pas të shtënave të para në sallën e festës pati tronditje. Pamjet tregojnë Melania Trump duke parë nga fundi i sallës; më pas aktivizohet rrethi i tretë i mbrojtjes, ai më i afërti. Disa agjentë rrethojnë presidentin dhe e largojnë, ndërsa një tjetër vendoset përpara tavolinës. Situata është e tensionuar, Trump rrëzohet. Ndërkohë hyjnë në sallë disa operatorë me pushkë sulmi, të gatshëm të përballen me një kërcënim të ri. Njëri ndriçon errësirën me një elektrik dore.

Secret Service ka bërë të ditur se kishte krijuar një lloj zone tampon mes skenës, ku ndodheshin autoritetet kryesore, dhe sallës. Gjithashtu, në pjesën e përparme të tavolinës ishin vendosur pllaka të blinduara, një masë shtesë sigurie e diktuar edhe nga episodet e mëparshme që kishin në shënjestër Trumpin.

Pas pritës së snajperit në Butler, me Secret Service nën akuza, janë rishikuar protokollet dhe është folur për më shumë kujdes. Madje ishte marrë në konsideratë shmangia e mitingjeve në ambiente të hapura, pasi janë të vështira për t’u kontrolluar.

Megjithatë, është e pamundur të garantohet një “flluskë sigurie” perfekte, sidomos për një figurë si Trump. Për më tepër, këtë herë sulmi ndodhi në një ambient të mbyllur, në një zonë që duhet të jetë mirë e njohur për ata që merren me sigurinë e personaliteteve. Por historia, përtej hetimeve dhe specifikave amerikane, tregon se rreziku i akteve të dhunshme mbetet gjithmonë i lartë kur në shënjestër janë politika dhe përfaqësuesit e saj.

Në këtë kontekst nuk mungojnë teoritë për provokime të supozuara, manipulime apo sulme të inskenuara për të balancuar rënien e mbështetjes për Trump. Ndër ata që shohin “diçka të dyshimtë” është shkrimtari Don Winslow: në një postim më 20 prill në platformën X ai kishte parashikuar një manovër shpërqendruese nga ana e rrethit presidencial./ Corriere della Serra