Të gjithë zyrtarët sëmuren kur shkojnë në burg! Nga Fatos Tushe, tek Lefter Koka, kush janë 'pacientë'! Asnjë hetim për raportet e lëshuara

Të gjithë zyrtarët sëmuren kur shkojnë në burg! Nga Fatos Tushe, tek Lefter Koka, kush janë 'pacientë'! Asnjë hetim për raportet e lëshuara

Foto ilustruese

“I arrestuari ka probleme shëndetësore për të cilat është ekzaminuar edhe më parë dhe gjatë qëndrimit në dhomat e paraburgimit është vizituar nga mjeku i Drejtorisë Vendore të Policisë, pasi ka pasur tension të lartë”.

Me këtë argument dhe cilësim, avokatët e ish-nëndrejtorit të ndërmarrjes publike të Bashkisë Lushnjë, kërkuan ndryshimin e masës së vendosur nga gjykata.

Kur një zyrtar i nivelit të mesëm si ai, ia kishte dalë mbanë të siguronte për alibinë e tij një sërë shkresash, si ai i invaliditetit, sipas Shoqatës së Invalidëve të Punës së Shqipërisë me nr.120, vërtetim page të aftësisë së kufizuar, lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe nga Njësia Administrative Bashkia, Lushnjë me nr.4821 prot, asnjë nga zyrtarët e tjerë të nivelit më të ulët apo më të lartë se ai, rezulton se nuk e kanë pasur të vështirë të sigurojnë dokumente që tregojnë se ata vuajnë nga problemet shëndetësore.

Dhe bëhet fjalë për të hetuar në paraburgim nën kompetencën e gjykatës anti-korrupsion, ku si lëvizje të parë, kishin kërkesën për t’i liruar për shkak të problemeve familjare dhe si të dytë dhe vendimtare, atë të tekave shëndetësore. Siç tregon dhe dosja e monitoruar nga Gazetasi.al, që ka lidhje me abuzimet e tenderit rehabilitues të një kanali me vlerë 24 milionë lekë në Lushnjë, të njëjtat kërkesa, me të njëjtat pretendime dhe raporte, dorëzuan edhe ish-zyrtarë të tjerë.

Edhe kërkesa e ish-kryetarit të Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe, përmes avokatëve të tij, ishte sa vijon:

“I  hetuari ka prej vitesh probleme shëndetësore, për të cilat u paraqitën para gjykatës një sërë dokumentesh të lëshuara nga mjekët në spitale shtetërorë dhe private; ai vuan nga sëmundje kardiake, diabet, nga guri në tëmth, ka kriza të vazhdueshme akute nga mushkëria, si dhe është alergjik/intolerant ndaj disa ushqimeve”.

Kjo seri sëmundjesh e Fatos Tushes, në të njëjtën dosje ngre dorën dhe tregon që është sëmurë edhe i hetuari tjetër, gjithashtu zyrtar, Flamur Peqini. Ai, ndryshe nga një zyrtar tjetër specialist në ndërmarrjen publike (Bektash Nexha), që tha se kishte nënën 90 vjeçe dhe duhet t’i qëndronte pranë, rrëfehet me raporte dhe me ilaçe në dorë.

“Gjykata duhet të mbajë në konsideratë rrethanat lehtësuese për të hetuarin, si mosha e tij 66 vjeç, faktin që i hetuari është i padënuar më parë, është i martuar me fëmijë, vuan nga sëmundja e diabetit mellitis tipi 2, për të cilin ai merr mjekim”.

Por edhe ky i akuzuar nuk fitoi dot lirinë dhe as “arrestin në shtëpi”, si dhe të gjithë të dyshuarit e tjerë, si B.M., administrator, i cili këmbëngul.

“Ndaj të hetuarit, duhet të caktohet një masë sigurimi personal më e lehtë se ajo e kërkuar nga Prokurori dhe e dhënë nga Gjykata, pasi masa e sigurimit personal e ‘arrestit  në burg’, nuk është e përshtatshme dhe proporcionale me nevojat e sigurimit. Duke pasur parasysh rrethana të tilla, si mosha, faktin që i dyshuari është i padënuar më parë, i martuar me fëmijë të rritur, vuan nga sëmundja e kancerit dhe merr mjekim serioz për gjendjen e ankthit, masa e sigurimit ‘arrest në burg’ është tejet e rëndë dhe jo-proporcionale“, e cila sërish nuk u pranua.

Gazetasi.al u interesua për kërkesat e zyrtarëve që hetohen dhe që më së shumti dalin me raportet mjekësore.

“Ishte e lehtë dhe përpara reformës mund të siguroje një raport, ku vërtetohej se vuaje nga sëmundje e pashërueshme dhe me dijeninë e gjykatës, punën e mirë të një mjeku ekspert mjeko-ligjor, mjek publik, ne realizonim daljen e klientit. Sot, është tepër e vështirë, të gjithë kanë frikë, ka pasur raste kur i burgosuri ka qenë seriozisht i sëmurë dhe më pas ka ndërruar jetë, në kohën që gjykata kërkonte një mjek ligjor që të saktësonte se ai ishte në prag të vdekjes”, - ankohet për Gazetasi.al një avokat.

Por çfarë kupton mbrojtësi me lehtësi?

“Padyshim e kam fjalën për pagesa gjithandej, që nga shoqërimi në polici, një mjek asiston, rregullohet tensioni, deri te historia e sëmundjeve familjare, por gjykatat janë mbledhur. Një raport që vulos sëmundjen e të akuzuarit, shkon deri në 10 mijë euro dhe këtë e them me siguri”, shton më tej avokati.

Por në një kohë që zyrtarët e nivelit të mesëm, e kanë krejt të lehtë të risigurojnë raporte (pa i paragjykuar ato), megjithëse asnjë nuk merret parasysh nga gjykatat, sa e lehtë është kjo procedurë për ish-zyrtarë të nivelit të lartë? Lefter Koka këmbëngul gjithashtu se është sëmurë, madje ai në gjyq theksoi përmes avokatëve se po shkeleshin parimet e humanizmit. Në shkresat që siguroi Gazetasi.al përmendet.

“Konkluzionet e mjekëve, shprehin qartë diagnozën dhe stadin e sëmundjes nga e cila vuan Koka. Ai vuan nga sëmundja e arterieve koronare (sëmundje e enëve të gjakut që furnizojnë zemrën me gjak), nga arteroskleroza (dëmtim ose plakje e paretit të brendshëm të enëve të gjakut), i cili duket se në rastin në fjalë është proces difuz (me shpërndarje dhe që prek të gjithë sistemin e qarkullimit të gjakut). Kjo situatë duket që është agravuar, nga trauma emocionale, siç ka qenë humbja e jetës së një personi të afërt (vëllai) dhe vendosja në kushtet e paraburgimit. Sëmundja e arterieve koronare, prezente në rastin në fjalë, shkakton kequshqyerje të muskujve të zemrës me gjak. Është sëmundje me karakter kronik dhe e cila agravohet në terren të sëmundjeve metabolike (çrregullimi i yndyrnave), në stres, në situata ankthi, tensioni psikik të shtuar. Sëmundje e cila, me probabilitet të lartë, mund të shkaktojë kequshqyerje të thellë me gjak të muskujve të zemrës, duke çuar në atë që njihet rëndom si infarkt i miokardit, i cili mund të shkaktojë fatalitet, deri në vdekjen e pacientit. Sa më lart, referuar gjendjes së përkeqësuar shëndetësore dhe në vijim të qëndrimit nën masën e sigurimit personal të ‘arrestit në burg’, i kërkojmë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të vlerësojë objektivisht gjendjen e rënduar shëndetësore të personit nën hetim, e cila provohet të jetë e papajtueshme me vijimin e qëndrimit në izolim, ç’ka do të sillte pasoja të rënda për shëndetin e z. Koka, duke u cenuar parimi dhe standardi i humanizmit në trajtimin e një të ndaluari nën masë sigurimi personal shtrënguese”.

Megjithëse ish-ministri theksoi se “prej më shumë se 4 vitesh, nuk është më në detyrë, tanimë nuk është as aktiv në jetën politike dhe se gjykata duhet të vlerësonte integritetin dhe personalitetin e tij, kërkesa nuk u mor parasysh.

Por përse është kaq e vështirë të hetosh raporte të lëshuara masivisht? As prokuroria dhe as gjykata nuk japin një përgjigje përfundimtare, ndonëse nuk kane munguar hetimet ndaj ekspertëve, duke nisur nga ata të ndërtimit, aksidenteve rrugore, por mjekësorët janë fare jashtë kontrollit hetimor.

Se në çfarë përmase është korruptimi i ekspertëve, Gazetasi.al, po sjell dosjen e një eksperti të dënuar për ekspertim të rremë dhe të hetuar nga prokuroria e Shkodrës. Në cilësinë e topografit G., u kallëzua nga avokatura e shtetit, pasi kishte bërë një përcaktim të sipërfaqes së pronës, duke e paraqitur sikur nuk ishte sa ajo që pasqyrohej në notën e transkriptimit objekt gjykimi, por në një sipërfaqe rreth 30 herë më të lartë. 

Bazuar në këtë akt ekspertimi, Gjykata e Shkodrës korrigjoi më pas notën e transkriptimit në favor të një shtetasi me inicialet R.P., dhe prokuroria e bindi gjykatën kur tha.

“I pandehuri e ka kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme, duke kryer një ekspertim topografik me shkrim përpara gjykatës në kundërshtim me atë çfarë rezultonte nga dokumentacioni mbi pronat dhe pretendimet e palëve, duke ndryshuar sipërfaqen e pronës, duke e paraqitur sikur kjo sipërfaqe nuk ishte sa ajo pasqyrohej në notën e transkriptimit objekt gjykimi, por në një sipërfaqe rreth 30 herë më e lartë. Eksperti nuk ka bërë asnjë lloj këqyrje dhe matjeje në terren dhe as nuk ka këqyrur asnjë lloj dokumentacioni me qëllim përcaktimin e kufijve të pronës. Nga ana e ekspertit është hartuar një akt ekspertimi pa iu referuar dokumentacionit mbi origjinën e pronës dhe pa bërë matje në terren dhe pa u ballafaquar me kufitarët e pronës”.

I gjendur përpara provave dhe tokës që nuk e falsifikonte dot, eksperti rezulton se e pranoi ekspertimin e rremë. Burimet i thonë Gazetasi.al, se ai e kishte shumë fishuar tokën në letra duke e shkruar 1 mijë dynymë./GazetaSi

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nddndj: 04/06/2022 22:23

    Mesoni ku te vini piken dhe presjen te titull analfabete.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Basha për takimin dhe antimitingun në Londër: Turp e faqja e zezë për Ramën dhe Berishën! Ata i duan shqiptarët mish për top, pazare dhe për pushtetin e tyre

Basha për takimin dhe antimitingun në Londër: Turp e faqja e zezë për Ramën dhe Berishën! Ata i duan shqiptarët mish për top, pazare dhe për pushtetin e tyre