Teuta barazoi 2-2 kundër Tiranës, për javën e dytë të Superligës në "Niko Dovana". Te durrsakët ra në sy paraqitja e mirë e elementëve të talentuar, ndërsa Diego Longo i besoi nga minuta e parë emrave të rinj. Për t'u komplimentuar italiani, që hodhi në fushë nga minuta e parë 16-vjeçarin Ergis Arifi.

Mesfushori me tipare sulmuese është produkt i "Djemve të Detit", duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit te ekipi U-17 i Teutës. Gjithashtu i riu bën pjesë edhe në ekipin U-17 të Kombëtares kuqezi, duke luajtur në katër ndeshje.

Vetëm 16 vjeç, Arifi pret që të hënë të fillojë shkollën e mesme, ndërsa para kësaj dite ka marrë një dhuratë të merituar, aktivizimin si titullar me ekipin ku ka mësuar të luaj me topin.

Nëse jemi mësuar se te Barcelona dhe ekipet e tjera të Evropës i besojnë talenteve edhe në këtë moshë, shembulli tanimë është edhe në futbollin tonë. Më së paku me formën e treguar në fushë, Arifi do i sigurojë të ardhura të mjaftueshme Teutës, kjo me një shitje të mundshme, teksa është kontigjent edhe për ekipin e parë Kombëtar.

Në moshë të re, është Diego Longo që do përpiqet ta mbajë me këmbë në tokë të riun, që me driblimet e tij befasoi tifozët në Durrës dhe jo vetëm. Veç Arifit, Longo i besoi edhe katër emrave të tjerë të rinj si Dema, Gjinollari, Beqja apo Demircani.