Dhuna
Ashtu si dhe në protestat e shkuara, të rinjtë e PD-së do të pajisen me “arsenalin” e vezëve, domateve, patateve, mandarinave dhe portokalleve. Po ashtu në protestë do të përdoren sërish fishekzjarret apo tymëse me bojë blu. Risia duket se do të jetë në përdorimin e miellit por dhe orizit. Disi e çuditshme por burimet kanë bërë të ditur se të rinjtë demokrat të hënën do të protestojnë duke gjuajtur me oriz. Në mjaft zona të Shqipërisë orizi hidhet në nisjen e nuses, duke i uruar mbarësi, por këtë herë kuptimi i gjuajtjes me oriz do të jetë buxheti i varfërisë. Gjithsesi këto janë vetëm detajet e para të përgatitur nga grupi i punës së të rinjve demokrat, këtë herë të drejtuar nga Belind Këlliçi.
Të rinjtë
Partia Demokratike zhvilloi të enjten një protestë, të organizuar nga degët e kësaj partie në Tiranë. Ndërkohë në protestën e së hënës është parashikuar pjesëmarrja e të rinjve nga të gjithë rrethet e vendit. Mësohet se degët kanë organizuar udhëtimin me autobusë për të rinjtë, ku mbërritja në Tiranë do të jetë në orën 09 të mëngjesit për të vijuar më pas duke u mbledhur në selinë e Kuvendit ku do të mbahet seanca e fundit. Në pankartat e të rinjve demokrat do të jenë akuzat për Qeverinë Rama si dhe kërkesat për një qeveri teknike.
Ashtu si dhe në seancën e së enjtes, deputetët e opozitës do të jenë në sallën e Kuvendit. Po ashtu hyrja e deputetëve të mazhorancës do të jetë nga dera në anën e Akademisë së Shkencave për të mos u përplasur me protestuesit në shesh. Gjatë protestës deputetë të opozitës do të jenë pranë të rinjve duke u dhënë mbështetje për protestën e tyre. Më parë PD kishte paralajmëruar për zhvillimin e protestës para Kryeministrisë, por axhenda është ndryshuar për shkak të seancës që do të mbahet nesër.
Seanca
Burimet kanë saktësuar se pritet që seanca parlamentare të zgjasë për shkak të fjalimeve që kanë parashikuar të kenë deputetët. Por se nuk pritet të ketë përplasje, kjo dhe për faktin se buxheti i vitit 2016 u votua të enjten, pa përplasje apo diskutime mes deputetëve. Nga ligjet më të rëndësishme që do të votohen të enjten janë Amnistia, ku do të falen dhe të dënuarit që janë në proces gjyqësor, por do të votohet dhe ligji për lojërat e fatit.
Kreu i FRPD: Të rinjtë protestojnë për rëndimin e gjendjes ekonomike
Belind Këlliçi, i zgjedhur pak ditë më parë në krye të FRPD-së, është shprehur dje se protesta e të rinjve vjen për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike të vendit. “Ndërkohë që gjendja në vend po shkon keq e më keq, ekonomia po zhytet thellë e më thellë në krizë, papunësia rritet, pamundësia për të vazhduar studimet shtohet, është koha që ne të rinjtë të rimarrim sërish në dorë fatet e vendit, ashtu si 25 vite më parë. Të hënën ne duhet të jemi të gjithë sëbashku, të djathtë, të majtë e të pa parti sepse ne të gjithë po vuajmë njësoj, të gjithëve njësoj po na e vrasin shpresën qeveritarët e sotëm që të vetmin shqetësim që kanë, është të shtojnë pasuritë e tyre marramendëse”, tha dje Këlliçi.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Dhjetor 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)