TIRANE- Me 14 vota komisioni i ligjeve miratoi në parim draftin e ministrisë së drejtësisë për ndryshimet në ligjin e policisë së burgjeve, ku pak para votimit u larguan dy deputetët e partisë demokratike Gent Strazimiri dhe Kastriot Islami. Pretendimeve të deputetëve të opozitës për mos respektim të ligjeve dhe Kushtetutës, kreu i komisionit Fatmir Xhafa iu përgjigj duke thënë se opozita ka objektiv të pengojë integrimin e Shqipërisë. Xhafa tha se “opozita ka objektiv të pengojë intergrimin e Shqipërisë”.

I pranishëm në komision ministri i drejtësisë Nasip Naco shpjegoi se ndryshimet në ligj do të krijojnë një imazh tjetër për gardianin e burgut, ku shtoi se nga inspektimet e kryera në burgje janë gjetur parregullsi të mëdha dhe deri më tani sipas ministrit janë sekuestruar 1 300 celularë.

“Me ndryshimet që unë propozoj figura e gardianit nuk do të jetë më si më parë. Policisë së burgjeve do t’i japim statusin që meriton. Do të privatizojmë transportin e të burgosurve me rrezikshmëri të ulët. Kemi bllokuar 1 300 celularë në burgje”, u shpreh Naço.

Ndërsa deputeti i opozitës Gent Strazimiri në fjalën e tij akuzoi ministrin Naço dhe mazhorancën se po shkelin ligjet e vendit dhe Kushtetutën, si me shkarkimin e kryeinspektores Zana Xhuka, dhe nuk mund të respektojnë të drejtat e të burgosurve.

“Keni 100 ditë që ju Naço jeni ministër dhe keni berë shumë shkelje. Ju nëpërkëmbni çdo gjë, s’mund të respektoni të drejtat e të burgosurve”, ka deklaruar demokrati.

Pas miratimit në parim me votat e mazhorancës dhe deputetëve Nard Ndoka dhe Tahir Muhedini, ligji do të diskutohet sërish në komision ditën e premte, për t’u votuar nen për nen.

Redaksia Online
(e.s/ak/shqiptarja.com)