KAMEZ - Grabitjet me maska të ditëve të fundit kanë dominuar kronikën e zezë. Pas Lezhës, Rrëshenit, Fushë Krujës dhe Korçës, grabitësit bastisin edhe një biznes në Kamëz.

Report Tv ka siguruar videon e momentit të grabitjes së një dyqani në zonën e Kamzës, në pronësi të E.N, 36 vjeçe, banuese në Tiranë. Katër persona të maskuar dhe me leva në duar marrin xhiron ditore të marketit. Policia dyshon se është e njëjta bandë që ka grabitur supermarketet edhe në Lezhë, Rrëshen e Fushë Krujë, ndërsa në autostradën Tiranë-Durrës, u grabit një bankë e nivelit të dytë.

Banda vepron në grup natën, dhe brenda pak sekondave marrin paratë në arkë, ose si në Lezhë kur ngarkuan kasafortën e marketit në automjet dhe humbën gjurmët. 

Edhe në Kamëz, siç duket në pamjet e siguruara nga Report Tv, grabitja është kryer në orët e para të mëngjesit, afërisht tre ditë më parë. Grabitja zgjat më pak se dy minuta.

Fillimisht në dyqan futen dy grabitës me maska dhe sende të forta në duar, të cilët thyejnë portën e xhamit. Ndërsa brenda pak sekondave aty mbërrijnë me një automjet tip "Benz" edhe dy grabitës të tjerë. Policia sqaron se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com