Të mërkurën do të luhen ndeshjet e para të fazës 1/8 të Kupës së Shqipërisë me përballjet të cilat janë me sistem vajtje-ardhje. Partizani që po kalon një moment tepër të vështirë ndeshjen e parë do ta luajë në Lezhë kundër Beslidhjes. Për trajnerin Sormani kjo është një mundësi shumë e mirë për të marrë fitoren e parë me kampionët e Superligës pasi deri më tani njeh vetëm humbje.
E vetmja ndeshje që do të luhet ndërmjet dy skuadrave të Superligës është ajo mes Vllaznisë dhe Flamurtarit. Për shkodranët kjo është mundësia e vetme për të dalë me trofe këtë sezon, ndërsa për vlonjatët është mundësi e vetme për të lënë shenjë këtë sezon në futbollin shqiptar.
Kukësi ndërkohë, skuadra që udhëheq kampionatin, përballë do të ketë një kundërshtar të lehtë në letër si Lushnja. Sakaq Teuta sfidën e parë do ta luajë në transfertë kundër Erzenit, ndërsa Skënderbeu po ashtu e nis në transfertë kundër Besës së kavajës.
Me kuriozitet pritet të shihet edhe Tirana në Kupë, skuadra që në kampionat në fundjavë mori fitoren e pestë radhazi. Bardheblutë e drejtuar nga Egbo të mërkurën vihen përballë Kastriotit në transfertë, ndërsa në rast se kalojnë turin në çerekfinale i pret derbi me Partizanin, gjithmonë në rast se këta të fundit nuk gabojnë përballë Besëlidhjes.
Të gjitha këto takime, ashtu si Apolonia-Luftëtari do të luhen në orën 14, ndërsa sfida e vetme e caktuar të luhet të enjten është Bylis-Laçi.
Komente











