Të mërkurën në orën 16:00 do të luhen dy ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në Futboll. Tirana do të udhëtojë në Gjirokastër me synimin e vetëm për të mposhtur Luftëtarin, pasi ky kompeticion është shpëtimi i sezonit për bardheblutë, të cilët në fundjavë gjithashtu do të kenë një tjetër sfidë me gjirokastritët, por këtë herë të vlefshme për Superligën. Gjithsesi në prag të 90 minutave të para në Kupë trajneri Ardian Mema është shprehur:
“Ne po mendojmë për të dyja sfidat pasi kanë vlerën e vet. Nesër me një paraqitje të mirë mund të shkojmë në finale, ndërsa sfida e fundjavës vlen për mbijetesën. Janë teste të vështira të dyja sfidat por që kanë specifika të ndryshme.”
Ndërkohë sfida tjetër gjysmëfinale do të luhet në Kamzë ndërmjet Kukësit dhe Skënderbeut. Verilindorët vijnë në këtë sfidë delikate me një sërë mungesash si kapiteni Ylli Shameti, Gëzim krasniqi, Irakli Dzaria, Uilliam Kordero, Elis Maliqi dhe së fundmi Valdet Rama, i cili ka mbyllur sezonin për shkak dëmtimi. Në prag të sfidës trajneri Ernest Gjoka i trembet edhe mentalitetit fitues që ka skuadra korçare.
“Është ndeshje shumë e rëndësishme për vetë objektivat që ka Kukësi, duke patur parasysh faktin që në kampionat kemi një largësi me vendin e parë, kështu që gjithë përqendrimi ynë është te Kupa. Skënderbeu është Skënderbe dhe së bashku me Kukësin kanë vite që bëjnë historinë në futbollin shqiptar. I druhem shumë mentalitet fitues që ka ekipi korçarë.”