PRISHTINE, 7 Shkurt/ATSH/-Forumi i Rinisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me fondacionin gjerman Konrad Adenauer, organizuan "Akademinë e të rinjve për politika të qendrës së djathtë".
Në një komunikatë për media FR i LDK-së njofton se sot u zhvillua pjesa e parë e këtij organizimi ku mysafir për të diskutuar së bashku me të rinjtë ishin Eva Majewski, kryetare e EDS (Organizata zyrtare e të rinjve student të Partive Popullore Evropiane), Conrad Clemens, Sekretar i Përgjithshëm i Junge Union (Organizatës së të rinjve të CDU, partisë lidere në Gjermani) dhe Younes Ouaqasse, Sekretar Internacional i Junge Union.
"Të rinjtë e LDK-së dhe të rinjtë e CDU diskutuan rreth problemeve të përbashkëta dhe mundësisë për shkëmbimin e eksperiencave", thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës angazhimet e përbashkëta do të prezantohen ditët në vazhdim, e që kanë të bëjnë me angazhimin e komunitetit rinor përgjatë gjithë Evropës për të mobilizuar opinionin evropian për gjendjen e të rinjve në Kosovë, veçanërisht përqindjen e lartë të papunësisë së të rinjve në Kosovë si dhe forma dhe angazhime përmes të cilave së bashku do të mund të organizohen që të krijojnë mundësi këtu në Kosovë, që të rinjtë tanë mos të kenë nevojë të kërkojnë punë dhe jetë më të mirë jashtë dhe larg Kosovës./KosovaPress/ /a.g/









