Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë vënë në pranga gjatë aksionit policor “Operacionalja” në Tiranë. Për dy personat ishte lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK/Kosovë më 13 janar 2026.
Ata akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit të strukturuar kriminal”, në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore. Të arrestuarit u kapën gjatë dy fazave të aksionit, Operacionalja 78 dhe Operacionalja 79.
"Në vijim të punës për gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara, organizuan dhe finalizuan fazat 78-të dhe 79-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”. Në kuadër të këtyre fazave, në qytetin e Tiranës, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve R. B. dhe G. H., banues në Tiranë.
Këta dy shtetas ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK/Kosovë, më datë 13.01.2026, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për këta dy shtetas, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit të strukturuar kriminal”, në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës", njoftoi Policia.
Autoritetet vijojnë punët për ekstradimin e tyre drejt Kosovës.
Komente









