DURRËS-Dy persona janë vrarë me armë zjarri kallashnikov mbrëmjen e kësaj të hëne në Durrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:55 minuta në lagjen nr. 14, Nishtulla në qytetin bregdetar, në rrugën afër tregut të perimeve. Viktimë të ngjarjes së rëndë kanë mbetur 35 vjeçari Dorjan Shkoza, person ky me precedent të mëparshëm penal dhe i dënuar më herët me 8 vite burg për drogë dhe i liruar nga qelia në 2010-ën. Mësohet se 35 vjeçari ka në pronësi edhe një pikë servisi makinash në zonën ku ndodhi dhe ngjarja.

Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia

Ndërsa personi i dytë i vrarë me armë zjarri është Anxhelo Avdia.

Sipas burimeve mësohet se viktimat kanë qenë duke lëvizur në këmbë ndërsa janë qëlluar nga një automjet në lëvizje. Vetëm pak minuta pas vrasjes së dy të rinjve, në hyrje të Rrogozhinës, në vendin e njohur si “Bishti i Zhurit” policia gjeti një mjet tip Benz duke u djegur, targat e të cilave kanë qenë të vjedhura nga një tjetër mjet. Mësohet se mjeti tip “Benz” me targë AA 693 ZE rezulton se i është vjedhur shtetasit me iniciale R.L, banor i fshatit Sineballaj të Rrogozhinës, i cili kishte bërë edhe denoncim në polici.

Grupi hetimor ka dyshime se makina e djegur është përdorur nga autorët e kësaj ngjarje, ndërsa për zbardhjen e saj në ndihmë të grupit hetimor kanë shkuar specialistët e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.

Një nga pistat që policia po heton është ajo e përfshirjes në trafikun e drogës dhe prishjes së pazareve, por edhe ndonjë konflikt i mëparshëm mes viktimave dhe autorëve. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli nga Tirana e Fier në aksin rrugor Durrës-Tiranë e Durrës-Lushnjë. Ndërsa në mbështetje të Policisë vendore të Durrësit janë nisur dhe grupe të FNSH-së së Tiranës, për krehjen e zonës, si dhe arrestimin e autorëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:09
Vrasja në Durrës/ Gjendet një makinë e djegur në hyrje të Rrogozhinës! Dyshohet se u përket autorëve

1583176463_MAKINAEDJEGUR2.jpg

Gjendet një makinë e djegur në hyrje të Rrogozhinës. Dyshohet se u përket autorëve që ekzekutuan me kallashnikov dy personat në lagjen Nishtulla.

Ora 19:55
Identifikohet i vrari në Durrës, ishte dënuar me 8 vite për drogë

Personi i dytë që mbeti i ekzekutuar në Durrës, është Dorjan Shkoza 35 vjeçar. Ai ka qenë i dënuar me 8 vjet për drogë dhe ka dalë nga burgu  në fund të 2010-ës.

Ora 19:48
Pamje të reja nga ekzekutimi në Durrës/ Autorët i kanë zënë pritë...viktima i shtrirë në tokë

Report Tv sjellë pamje të reja nga vendngjarja ku u ekzekutuan dy persona. Një nga viktimat ka ndërruar jetë në vend dhe ai vijon të jetë i shtrirë në rrugë, teksa tjetri ka humbur jetën rrugës drejt spitalit.

Ora 19:45
Policia: Dy persona u qëlluan me armë zjarri nga makina në lëvizje! Identifikuam targën, po ndjekim autorët

Policia e Durrësit ka bërë njoftimin paraprak për ngjarjen e rëndë në lagjen numër 14 në Durrës, njohur si Nishtulla. 

Policia thotë se rreth orës 18:55, në rrugën afër tregut të perimeve, në rrethana akoma të paqarta kanë humbur jetën D. Sh, 35 vjeç dhe Anxhelo Avdia. Sipas policisë dyshohet që ata të jenë qëlluar me armë zjarri nga një automjet në lëvizje. Shërbimet e Policisë kanë mundur të identifikojnë targat dhe janë vënë në ndjekje të autorëve.

"Menjëherë në vendngjarje kanë mbrritur forca të shumta policie, si dhe grupi hetimor. Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona në një perimetër të gjerë. Pika kontrolli janë ngritur edhe nga DVP Tiranë e Fier në aksin rrugor Durrës-Tiranë e Durrës-Lushnjë. Në mbështetje të Policisë vendore janë nisur dhe grupe të FNSH-së së Tiranës, për krehjen e zonës. Për zbardhjen e ngjarjes, në ndihmë të grupit hetimor po shkojnë specialistët e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje, duke grumbulluar dhe fiksuar çdo provë sado të vlefshme që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes", njofton policia.
 

Ora 19:32
Vrasja në Durrës/ Identifikohet një nga viktimat

Report Tv bën me dije se nga të shtënat me armë në Durrës kanë gjetur vdekjen dy persona, të seksit mashkull. Një nga viktimat quhet Anxhelo Avdia.