Një atentat mafioz është shënuar tek "Uji i Ftohtë" në qytetin e Vlorës, me dy të vrarë dhe një të plagosur rëndë. Persona ende të paidentifikuar i kanë bërë pritë Armando Sulejmanit, njohur me pseudonimin "Çipuri", duke e lënë atë të plagosur rëndë. Të vdekur mbetën Orest Rexho dhe Arjan Hasani, të cilët janë kunati i 42-vjeçarit Armando Sulejmanit, dhe shoku i tij.

Viktimat Arjan Hasani dhe Orest Rexho

Një makinë e djegur është gjetur në fshatin Babicë të Vlorës. Dyshohet që automjeti të jetë përdorur gjatë atentatit nga autorët dhe të jetë djegur më tej prej tyre në një distancë të largët, për të humbur gjurmët. Aty policia gjeti tre armë kallashnikovë.

Historia e hakmarrjeve

Armando Sulejmanit i është bërë atentat edhe në vitin 2016, teksa hynte në banesën e tij në lagjen "Pavarësia", ku i shpëtoi 11 plumbave duke e kapur vetëm njëri prej tyre. "Çipuri" njihet si person me precedentë të shumtë penal. 42-vjeçari njihet nga policia si anëtar i bandës së Gaxhait. Ai ishte i dënuar me 20 vite burg për vrasje, ndërsa e ka fituar lirinë rreth 3 vite më parë.

Në një informacion paraprak për ngjarjen, policia tha se "një grup i posaçëm hetimor u ngrit menjëherë dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e ndalimin e personave të implikuar në ngjarje. Për shkak të hetimeve nuk mund të bëhen të ditura detaje të tjera".

Në janar të këtij viti në një tjetër atentat në Vlorë mbeti i plagosur Mikel Mehmeti nga Selenica e Vlorës, njohur si anëtar i bandës së Llanajve. Llanajt njihen për masakrën e Çolës, ku pas një sherri në kazino në prill të vitit 2015, u vranë 3 të rinj. Një nga autorët e masakrës është Aleksandër Llanaj, që po vuan dënimin në burg. 

Çipuri ka qenë i dyshuar edhe për një atentat të dyfishtë në nëntor të 2018-ës në qytetin e Durrësit.

*Raportuan për redaksinë e Shqiptarja.com gazetarët Armand Xhelili dhe Elton Qyno