Momente paniku janë regjistruar në perimetrin e Shtëpisë së Bardhë, ku një person i armatosur hapi zjarr pranë kompleksit presidencial. Agjentët e Shërbimit Sekret dhe FBI-së ndërhynë menjëherë, duke u përfshirë në një shkëmbim zjarri me agresorin.

Sipas autoriteteve amerikane, autori i dyshuar, i identifikuar si Nasire Best, 21 vjeç nga Maryland, mbeti i plagosur rëndë gjatë përplasjes dhe ndërroi jetë më vonë në spital. Një person tjetër mbeti i plagosur, ndërsa ende nuk janë bërë publike detaje mbi gjendjen e tij.

Donald Trump ndodhej brenda Shtëpisë së Bardhë në momentin e incidentit, por zyrtarët deklaruan se presidenti nuk ishte në rrezik.

Sipas mediave amerikane, i riu kishte precedentë të mëparshëm dhe probleme të shëndetit mendor. Sipas burimeve hetimore Best besonte se ishte Jezusi dhe në të kaluarën kishte publikuar në rrjetet sociale deklarata ku identifikohej si “Osama bin Laden i vërtetë”. Po ashtu, ai kishte shkruar postime kërcënuese ndaj Trumpit.

Ky nuk ishte kontakti i parë i 21-vjeçarit me autoritetet. Në qershor të vitit 2025, ai kishte bllokuar një korsi hyrëse drejt Shtëpisë së Bardhë dhe ishte ndaluar nga Shërbimi Sekret pasi deklaronte se ishte “Zoti”. Pas incidentit, ai u shtrua për vlerësim psikiatrik në Institutin Psikiatrik të Uashingtonit.

Një gjykatë kishte nxjerrë ndaj tij një urdhër ndalimi, duke e detyruar të qëndronte larg Shtëpisë së Bardhë.

Pas ngjarjes, presidenti Trump reagoi në platformën Truth Social, duke falënderuar forcat e sigurisë për reagimin e shpejtë.

“Falënderoj Shërbimin tonë Sekret të jashtëzakonshëm dhe forcat e rendit për ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionale”, shkroi ai, duke shtuar se incidenti tregon nevojën për masa edhe më të forta sigurie në Uashington.