TIRANE- Të paktën 300 mijë euro mendohet të jetë vlera e floririt që 4 hajdutët-babagjyshë, morën pasditen e djeshme, duke përdorur kallashët. I pesti i priste në makinë dhe pasi hynë nga dera kryesore e dolën nga ajo emergjencës, autorët mundën të largoheshin drejt Lanabregasit, ku i vunë flakën makinës tip benz. Në media qarkullonte edhe një video ku dukeshin qartë 4 hajdutët e veshur si babagjyshë të Vitit të Ri, teksa zbraznin argjendarinë. Njëri priste te dera me një kallashnikov që dukej qartë dhe të tjerët fusnin objektet e arit në çantat e tyre.

Për 2 minuta gjithçka kishte mbaruar. Deri dje në orët e vona të mbrëmjes komisariati nr 3 kishte një të shoqëruar si të dyshuar për implikim me ngjarjen, i cili ishte ndaluar në rrugën “Don Bosko”. Zyrtarisht Policia e Tiranës tha se “ngjarja ndodhi rreth orës 17.25, ku persona të paidentifikuar ende, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës një dyqan argjendarie, në pronësi të shtetasit A. Sh”. Ndërkaq, pronari i dyqanit të argjendarisë “Xhelozia”, në qendrën tregtare “TEG”, ka bërë kallëzim penal, ndërsa fatmirësisht, gjatë grabitjes nuk është plagosur as ndonjë shitëse dhe as klientët e tjerë. Përveç panikut të përhapur nga grabitësit që lëviznin me kallashnikov gjersa dolën, ngjarja nuk pati pasoja të tjera. Me automjetin tip benz me targa AA147 FY, grabitësit janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të Lanabregasit, duke përfituar edhe nga errësira.

Hetimet
Autorët dyshohet të jenë larguar në këmbë, ndërsa forcat e policisë të mbërritura në vendngjarje kanë nisur marrjen në pyetje të dëshmitarëve, shitëses dhe rojeve private. Në qendrën tregtare ka mbërritur edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Ndërkaq, policia po punon për identifikimin e autorëve të grabitjes përmes kamerave të sigurisë apo të filmimeve të tjera që janë bërë nga kamerat amatore si dhe duke u bazuar në dëshmitë e personave që ishin pranë vendit të ngjarjes. Pas gjetjes së automjetit të braktisur, kërkimet vijojnë në zonën e Surrelit dhe të Dajtit. Dy nga pistat e hetimit kanë të bëjnë me 2 versione krejt të ndryshme sesi mund të jetë organizuar kjo ngjarje.

Pista e parë, sipas burimeve policore, është ajo e njohjes së vendit, argjendarisë, pronarit dhe shitëses nga ana e 5 hajdutëve, të cilët duhet të kenë pasur njohuri për oraret, lëvizjet dhe gjithçka tjetër ndodhte në TEG. Edhe pista e dytë nuk ndryshon nga e para, përveç faktit se autorët s’kanë pasur njohje me elementët e argjendarisë. Ndër sendet e grabitura përmenden orat, varëset, byzylykët, unazat, etj, ndërsa pronari A.Xh, ka deklaruar se cilësia e mallit të tij ishte ndër më të mirat në treg. Policia pritet të zgjerojë edhe rrethin e të hetuarve.
 
Shkrimi u publikua sot (25.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)