''Tek Genti'', një kuzhinë
me receta dhe batuta

''Tek Genti'', një kuzhinë <br />me receta dhe batuta
Ka nisur një tjetër projekt televiziv “Tek Genti” dhe aktori i humorit Gentian Zenelaj ndihet shumë komod. Edhe pse jashtë skenës batutat dhe improvizimet e veçanta janë pjesë e këtij emisioni televiziv. I veshur me një përparëse kuzhineri, Genti mirëpret të gjithë personazhet e njohura shqiptare në kuzhinën e tij, ku gatuajnë “me kripë e pa kripë”, receta të ndryshme të përzgjedhura prej tij. Këtë herë ka “ardhur” Genti tek THASH&THEM dhe në këtë intervistë plot humor, artisti na tregon pasionin e tij për kuzhinën, si dhe dëshirën për të patur një restorant të vogël personal. Nuk mund të lemë pa përmendur edhe humorin, me të cilin është bërë i njohur aktori shqiptar, ndaj dhe ai na zbulon disa nga të rejat e “Apartament 2 XL”, që pritet të nis në fund të shtatorit.

Përpos humorit, ku jemi mësuar t’iu shohim keni nisur një tjetër projekt “ Tek Genti”, si ndiheni në këtë format?

Shumë më rehat se në skenë, nëse do zgjidhja zanati im i dytë do të ishte shef kuzhine. Ëndrra ime është të kem një restorant timin, pasi më pëlqen ti ushqejë njerëzit.

Do të jetë një projekt në të ardhmen ky?

Absolutisht që po. Pasja e një restoranti të vogël dhe të ngrohtë më intrigon shumë. Nëna ime është kuzhiniere dhe unë e di çfarë lodhje ka, por më pëlqen ti ushqejë njerëzit. Me ushqim mund ti kënaqesh ata ashtu sikurse edhe në skenë.

Si është Genti si familjar?


Është një familjar që nuk del darkave, që nuk shkon nëpër pube, familjar që rri me gruan dhe fëmijën e tij, o sa i mirë u bëra (qesh). Nuk jam model, por mundohem të jem prezent.

Cili është një specialitet i juaji?


Në çfarë (qesh)?!

Në kuzhinë...


Të gjitha, unë çdo gjë e gatuaj me shumë dëshirë e pasion dhe nuk di të veçoj ndonjë specialitet.

Keni një gatim të preferuar nisur dhe nga fakti që nëna juaj është kuzhinere?


Mua më pëlqen çdo lloj gjëje që përmban patëllxhan brenda, pasi është asortiment që mua më pëlqen më shumë. Është i veçantë, i hidhur, i shijshëm, i thartë ka shije interesante. Më pëlqen kuzhina botërore por qëndroj tek ajo italiane.

Prisja të më thonit brumrat meqënëse jeni dhe pak i shëndosh?


Po lexoja një ditë për dietën e grupit të gjakut dhe vet jam 0 negativ. Me grup këtë gjaku i bie që armiku im më i madh janë brumrat dhe karbohidratet. Unë jam enciklopedik në ushqim i provojë të gjitha, mbase ngaqë e shijoj atë që ha ndaj dhe mund të shëndoshem.

Si lindi ideja për të bërë diçka ndryshe?


Aftësitë e mia në fillim Turi i mori si me shaka, pastaj Juli i tha që është e vërtet se unë di të gatuaj e më pas Ermali. Spuntoja u mor kur unë luajta teta Teftën (qesh), pastaj erdhi teta Tefta te ne dhe më pas teta Tefta më ftoi në studio. Ndaj mendoj se kanë qenë të gjithë stimujt që unë të filloja këtë emision, madje në fillim nuk po e kuptoja nëse do të ishte një emision i mirëfilltë gatimi apo diçka tjetër. Por Turi vazhdimisht më thoshte që nuk do të jetë një emision gatimi, sesa një bisedë mes dy miqsh siç ftohet për drekë një person ku mund të flitet për jetën, artin,
etj dhe gatimi është rrugë për ta bërë këtë. Të them të drejtën kjo më pëlqeu sepse vipat shqiptar ishin të zhveshur nga ai “xhami” që shohim gjithnjë dhe ishin vetvetja. Me duart pis me hudhër, me djersën nga kuzhina dhe doli interesant. Puntatën e parë e kemi bërë me Orinda Hutën, kemi eksperimentuar të dy, madje kemi pirë shumë birra (qesh).

I përzgjidhini vet recetat?


Në përgjithësi i zgjedh unë dhe mundohem ti zgjedh ato në bazë të personalitetit që kam përpara. Nëse do të kisha të ftuar Afërdita Dreshjan, do orientohesha drejt produkteve të detit meqënëse është nga Mali i Zi, madje mund të bëja edhe ndonjë gjë nga ai vend. Recetat që zgjedh janë interesante në përgjithësi, p.sh rizoto me pjepër që janë pak të çuditshme, jo receta standarte. Me Amin në këtë puntatë do të doja të eksperimetoja diçka nga kuzhina spanjolle ose ajo kineze.

Me cilin nga personazhet jeni ndjerë më komod?


Me Juela Meçanin. Kemi gatuar në një sintoni të plotë. Ndoshta ngaqë nuk është artiste dhe nuk mundohet të ruajë këtë fasadaën. O zot sa kemi gatuar atë ditë me të vërtet që u ndjeva shumë mirë dhe i thashë Juelës që do doja të vinte prapë, sepse ajo dinte të gatuante. (Megjithëse bëri një tortë skandaloze) (qesh) kek me fruta, që harroi ti hidhte sodë buke dhe ai nuk u fry. Kështu që keku doli si armë e ftohtë.

Edhe në këtë format nuk heqni dorë nga humori?


Jo absolutisht. Ka batuta pa fund pasi nuk është gatimi perfekt. Është Genti që ka dy- tre njohuri në kuzhinë dhe vjen një mik, i cili ka ose s’ka fare njohuri dhe gatuhet me kripë, pa kripë, pa sodë buke. Recetat nuk janë shumë impenjative thjesht po kënaqem dhe duhet të më besoni që stafi sapo mbaron emisioni, nuk lë asgjë në pjatë.

Julin dhe Ermalin, do ti ftoni?


Kam shumë qejf ti ftoj sepse janë “gropë” në kuzhinë (qesh). Është si të marrësh një fëmijë dhe ta vendosësh në një central bërthamor, ashtu është Juli me Ermalin në kuzhinë dhe do të argëtohem shumë me ta.

Vipat i zgjidhni vet, ashtu si recetat?


Jo vipat mi lenë surprizë. Sezoni veror ishte pak i vështirë sepse ata ishin të angazhuar me koncerte dhe pushime, por gjithcka shkoi mirë.

Ju vet ku pushuat?


Unë bëra 10 ditë pushime me familjen në Himarë dhe jam kënaqur shumë. Jam shumë i apasionuar pas zhytjeve dhe kam gjuajtur peshk me pushkë pa fund , në këtë mënyrë siguroja drekën çdo ditë, (qesh), djali mësoi notin, etj. Kam qenë edhe here të tjera në Himarë, por këtë herë kam kaluar një mrekulli.

“Apartament 2 XL” kur pritet të nis?


Në fund të shtatorit do të jemi në gatishmiri.

Do të kemi gjëra të reja, aktorë të rinj?


Njerëzit tani që po flasim janë të shpërndarë me pushime. Nuk e di nëse Turi vendos për gjëra të reja atëherë edhe ne do të jemi gati për to (qesh).

Nëse do të më bëni një krahasim, mes” 2 XL”, “Sketch Show”, “Tek Genti “, ku ndihet Genti më komod?


Genti më komod ndihet në shalën e motorit të tij, kur bën pushim ditën e diel, kthehet në shtëpi dhe shikon Danielin (djalin) dhe askund tjetër (qesh). Televizioni është një luftë e paparë dhe kaotike.

Sa vjeç shkoi djali?


Danieli është 4 vjeç dhe është bërë shumë i prapë... (qesh)

Do ta shtoni familjen edhe me një tjetër pjesëtar?


Danieli po insiston që dua një vëlla por ne duam një motër (qesh), madje i ka gjetur edhe emrin do ta quajë Luis. Nuk e di unë gjithnjë e kam lenë në dorë të bashkëshortes sime, duke qenë që ajo ka edhe një karrierë për të ndjekur. Ajo është juriste dhe ka një punë që duhet kohë tu gjendur pranë fëmijëve. Ne prindërit i kemi larg Tiranës dhe i rrisim me forcat tona fëmijët.

Si bashkëjeton një juriste me një aktor?


Do i’a këshilloja çdo aktori që mos të merrte një aktore. Vijmë nga dy botë krejt të ndryshme, nga dy punë krejt të ndryshme dhe kjo na ka ndihmuar mos të flasim në shtëpi për punën. Unë ndihem shumë rehat me një person që nuk ka lidhje me artin. Megjithëse është kritikja më e mirë dhe më e ashpër , spektatori më i ashpër dhe që unë e bëj më pak për të qeshur (qesh).

Nisur nga batutat dhe rolet e ndryshme në skenë dukeni si një natyrë shumë “karagjoze” si është Genti në jetë?


Unë jam personi më serioz nga të gjithë “SHLBSH”, edhe në punë edhe në jetë jam më i shtruari.

Ermali dhe Juli qenkan më “karagjozët”?

Ata janë karagjoz në katrorë (qesh). Ermali ka ndryshuar shumë, por edhe Juli sepse tashmë është babi i dy fëmijëve dhe duhet të mbaj përgjegjësitë e veta ( me këtë rast I them Julit që të shtrohet). Por Ermali vërtet që ka ndryshuar shumë, ka qenë 5- fish karagjoz nga ai që është sot. Ami e tronditi botën e tij (qesh).

Si ndiheni pranë tyre, pasi prej shumë koshësh duke filluar që nga spektakli “Portokalli”, e deri në ditët e sotme janë bashkëpunëtorët tuaj kryesor?


Ata janë miqtë e mi më të afërt. Dinë çdo gjë për mua. Kuptohet që gjithsecili nga ne ka rrethin e vet shoqëror dhe jetën e tij, por unë edhe Juli jetojmë në një pallat , në atë pallat ka qenë edhe Ermali. Jemi miq, shokë, do ta ndiqnim njëri tjetrin në çdo sfidë.

Nga gjithë ajo mori rolesh në skenë, keni një rol të preferuar dhe cilit do donit ti riktheheshit?


Të gjithëve do doja ti rikthehesha, Zenunit, Arian Çanit, të gjithë. Por duhet të plotësosh edhe shijet e publikut. Do të më pëlqente shumë ideja e një filmi apo telekomedie me të gjitha këto personazhe, por që është kaq vështirë me gjithë këtë ritëm pune. Prej kohësh kam nisur të shkruaj një skenar filmi dhe një zot e di kur do ta mbarojë

Për çfarë flet ky projekt i ri?


Po përpiqem të shkruaj një komedi të zezë me këtë “cirkun e madh”, që po na rrethon përditë , ku ka material pa fund. Por është shumë vështirë për të gjetur kohë, pasi shfaqja është çdo jave dhe ditët ikin shumë shpejtë. Ndërsa ditën e diel më pëlqen të fle gjumë (qesh).

Cilin nga formatet e humorit keni më përzemër 2Xl apo Sketch Show?


Unë jam fans i madh i Sketch Show, pasi për mua është një spektakël shumë i pastër, por ka një problem sepse nuk ka shumë aktorë. Jemi një trup e përshtatshme për Apartament dhe jo për Sketch Show. Sikur të kishim dhe tre katër aktorë do ishte perfekt.

Gent studimet e larta i keni kryer për aktorë, si ju duket arti shqiptar sot?


Arti shqiptar është në pikën e tij më të keqe. Atë e përdorin për moment zgjedhjesh, ose siç është rasti 100 vjetorit të Pavarësisë. Nuk e kuptoj se pse çdo pjesë duhet të kishte lidhje me Pavarësinë Më duket si një vegël për ta përdorur për politkë, por mendoj se duhet të lëne të lirë, që të menaxhoet fortë, ti japin fonde që të ketë mundësi të vihen pjesë me cilësi, pasi po shikojmë çmendurira.

Përveç spektakleve të humorit ku keni qenë prezent, keni luajtur ndonjë film apo teatër?


Filmin e kam lëvruar. Vjet doli filmi im “Out of touch”, një film ku unë ku kisha rolin kryesor. Ky është i vetmi film aksion shqiptar, por jo vetëm kaq ka vrajse, prostitucion, seks, dhunë, dashuri, pra jeta jonë e përditshme. Është shfaqur në kinema dhe shumë shpejt do të shkoj edhe nëpër festival ndërkombëtare.

Sa me fat e ndjeni veten në raport me artistët e rinj, që ndoshta mund të jenë ende të pastabilizuar?


E ndjej veten shumë me fat. Shokët e mi të klasës janë njerëz shumë të realizuar, Lulzim Zeqja është një aktor shumë i mirë filmash, Olta Dako njihet për rolet e saj në teatër, Marin Orhanasi është aktor në “Portokalli”, Ervin Bejleri në “Portokalli” dhe në spektakle të tjera, pra kemi qenë një klasë shumë e mirë. Ndoshta ne e kapëm shumë shpejt problemin. Kur jam diplomuar në 2001 nëse sot janë 11 dritare, (flas për televizione), atëherë kishte vetëm tre. Më kujtohet si sot kur mora diplomën dhe ika në shtëpi (në Lezhë) duke qarë, pasi nuk gjeta punë. Megjithatë kuptova që në këtë autostradë nuk kam lekë për të qëndruar dhe mendova pse mos të provojë një rrugë fshati ndaj nuk qëndrova duke pritur, i ulur në kafenetë pranë teatrit për të folur për artin e
madh dhe vendosa të veprojë. Vendosa të futem në punë. Më erdhi një propozim shumë i interesant dhe e pranova. Kur kemi filluar në “Portokalli” rrethi teatror na ka paragjykuar njësoj si të ishim “hebrenj”..

Pse?


Sepse na quanin aktorë estrade, na sulmoni, na tallnin...

Gjithesi humori është kulturë?


Ne vinim nga një periudhë komuniste siç ishte Estrada dhe Teatri dhe nuk e kuptonin që brenda këtyre mund të gjeje rrugë të mesme, që është kabareti, musical, one man show, komedia, etj. Ne ishim të rinj të guximshëm, ishim pa punë dhe vumë karrierën në pjatë argjendi. Lamë teatrin e madh , për të luajtur në kabarate dhe për mendim tim ishte një gjë shumë e mirë, pasi aktori që luan kabaretë është shumë herë më i guximshëm se ai që luan në teatër.

Nuk ju ka ngelur peng teatri?


Aspak do ta bëja prapë..

Keni mbushur 35 vjeç cili është synimi juaj më i madh?


Të bie nga pesha (qesh)... ky është betimi që kam bërë në këtë 35 vjetor. Do lë cigaren, do filloj të pastroj veten, sepse iku çereku i parë i jetës (qesh), do merrem edhe me sport.

Nuk merreni me asnjë aktivitet fizik në këtë periudhë?


Një person që punon në bankë, e ka më kollaj të programojë, ndërsa unë e kam punën tre ditë paradite, tre ditë mbasdite, pastaj tre ditë edhe paradite edhe mbasdite dhe nuk te jep kohë që të kesh një axhendë. Jam betuar që në këtë 35 vjetor, do të merrem më shumë me veten.

Si i’a bën me famën, pasi personazhet e humorit janë shumë të dashur për publikun?


Këtë vit në mes të Himarës kisha një poster gjigand të reklamës sime, edhe sa herë që kaloja djali thoshte uaa babi. E di çfarë është e sikletshme për mua, që njerëzit mos të mendojnë që unë i bëj gjërat për tu dukur. Ata surprizohen sesa të thjeshtë jemi, kur na takojnë.

Si keni arritur ta menaxhoni famën?


E kam parë gjithnjë që në Shqipëri nuk ka asnjë të famshëm. Jemi njerëz mediatik që dalim shpesh në televizor, termi “Vip” është kaq keq i përdorur, pasi vip është Robert De Niro. Unë jam po i njëjti, kam po të njëjtët miq, dal me një makinë jo shumë të shtrenjtë, më kënaqin fëmijët kur më marrin autografe, madje djali ka filluar të bëhet xheloz. Akoma se ka kuptuar pse duhet të ndaj veten time me të tjerët edhe më ka dhënë urdhër mos të dal më në televizor, se më marrin shumë autografe (qesh). Nuk jemi bërë milioner me këtë punë, thjesht marrim një certificate pak më shpejtë, nuk marrim gjobë nga polici kur nuk kemi venë rripin e sigurimit, ose një doktor te spitali të ndihmon pak më shumë. Por jam i lumtur me këtë gjë, sepse nuk mund të them se kam arritur pak. E rëndësishme është ta mbash këtë famë. Në momentin që e humb duhet të bindesh që nuk je më i tillë, sepse ka nga ata që kur e humbasin famën fillojnë të heqin çorapet, sytjenat dhe unë po i hoqa këto ju sigurojë që nuk jam aspak interesant (qesh).

Në momentin që do ta ndjeni këtë gjë tek vetja, si do veproni do hapni atë restorantin që më përmendët në fillim?


Restorantin do ta hap përpara se të mendoj këtë.. Do ndihesha keq. Megjithatë unë kam vendosur që në jetën time ta ndaj suksesin, mos të krijojë kult idividi, sepse kam kuptuar që kur kam kolegë të mirë dhe është ndarë suksesi, ti kupton që je më i fortë,sepse merr pak nga suksesi I Lisës, Ermalit, Xhodës dhe kjo është një metodë shumë e mirë. Këtë unë u’a sugjerojë të gjithëve, pasi e gjitha do të vij mbrapsht dhe do të shpërblehet në fund.

Keni intepretuar një mori personazhesh, është mërzitur ndonjë prej tyre?


(qesh) Të gjithë. Unë mundohem të ruaj disa parametra, nuk i prek në familje në gjëra personale, të cilat mund të dihen publikisht dhe duke ruajtur këtë raport kam eleminuar në maksimum sulmet. Kanë qenë dy- tre personazhe që më kanë sulmuar edhe pse unë jam munduar ti sqaroj dhe tu them se është një humor. Ata preken sepse nuk e kanë ndërtuar qoftë paranë apo pushtetin siç e ka ndërtuar një njeri në botën perëndimore.

Ju mërzisin këto telefonata?


Shumë... të privon, të humb forcën dhe energjinë…

Dhe ju vazhdoni përsëri?


Më besoni që nuk e bëj për kokëfortësi, por sepse e ndjej të nevojshme. Komedia nga tragjedia këtu ndyshon. Komedia është me drejtim nga poshtë lart, njerëzit tallin majat, ndërsa tragjedia është nga lart poshtë. Ne jemi komedia ndaj do ti sulmojmë pak (qesh).

Cili nga personazhet ka qenë më komod?


Kastriot Caushi, Erion Braçe, Redon Makashi, Edi Rama.. Kam shumë qejf të ftoj Lulzim Bashën, pasi në takime ku kam rastisur më duket kaq karizmatik dhe i lezetshëm. Do doja shumë të vinte gjithashtu edhe Jozefina Topalli, mirëpo shumica nga këta duhet të heqin barrierat. Ne Erion Braçen e kemi patur argument në shumë nga numrat tanë dhe ai tregoi një sportivietit të paparë dhe ka fituar një respect të madh ndaj nesh.

Lulzim Bashës apo Jozefina Topallit do ti kushtoni këngë në 2XL?


Jo këngën këtë herë ia kemi kushtuar kryeministrit (qesh), dhe jam i bindur që do vij patjetër. Kur u vendos emri i Apartament 2Xl u vendos me qëllimin, për të qenë gjithëpërfshirës.

(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s’do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Forcat e armatosura ukrainase janë gati për një sulm të ri në Kursk

Forcat e armatosura ukrainase janë gati për një sulm të ri në Kursk