Numri i dhuruesve vullnetarë të gjakut në vend ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025. Sipas Ministrisë së Shëndetsisë, numri i dhuruesve është rritur me 12 përqind krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 16.5 dhurime për 1 000 banorë.

Në kuadër të ndjekjes nga afër të investimeve moderne në shërbimin e transfuzionit të gjakut, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, vizitoi sot Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, ku u njoh me përmirësimet që po forcojnë sigurinë dhe cilësinë e këtij shërbimi jetik.

Gjatë vitit 2025, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka realizuar një sërë investimesh kyçe, të cilat synojnë rritjen e standardeve dhe uljen e rrezikut në proceset transfuzionale. Mes tyre përfshihen pajisje të reja për gjenotipizimin e grupeve të gjakut, në ndihmë të pacientëve me nevoja të veçanta transfuzionale dhe për parandalimin e sëmundjes hemolitike të fetusit dhe të porsalindurit.

Po ashtu, është realizuar digitalizimi i plotë i të dhënave dhe proceseve të dhurimit, testimit dhe shpërndarjes së gjakut, si dhe centralizimi dhe automatizimi i testimit të grupeve të gjakut, duke rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimit dhe duke ulur rrezikun e gabimit njerëzor.