Në fjalën e tij, kreu i qeverisë, tha se kjo shkollë do të jetë një nga shkollat pilot sa i përket implementimit të teknologjisë, ku siç theksoi Rama nxënësit nuk do të mund të gënjejnë më prindërit e tyre për mungesat te tyre në orët e mësimit.
Po ashtu kryeministri theksoi se edhe notat do të jenë transparente, çka do të thotë që ata t’i shkojnë prindërve me mesazh në celular, duke mos lejuar më që fëmijët e tyre t’i gënjejnë.
“Kemi projektin e kalimit teknologjik, nga librat tek teknologjia. Ka të mirat e veta por edhe taksiratet. Prindërve kështu nuk mund tu thoni më isha në shkollë kur në fakt munguat, apo kur merrni një notë dhe ajo ju shkon prindërve në telefon. E di janë taksirate por skeni çtë bëni.” theksoi Rama
Ndërsa më tej kryeministri po në Twitter, është shprehur se ka ardhur fundi i rrënimit të mësimdhënies, me mësues që japin mësim jashtë profilit të tyre, ku siç thekson Rama mësues biologjie japin matematikë.
“Fund rrenimit te mesimdhenies me mesues biologjie qe japin matematike a mesues gjeografie qe japin kimi e muzike #Asnjemesuesjashteprofilit” thekson Rama
Fund rrenimit te mesimdhenies me mesues biologjie qe japin matematike a mesues gjeografie qe japin kimi e muzike #Asnjemesuesjashteprofilit
— Edi Rama (@ediramaal) September 15, 2014
Peleshi: Model i ri suksesi në karrierë, jo më punë përmes teserës së partisë
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj zgjodhën që urimin për vitin e ri shkollor ta bëjnë nga “Shkolla ekonomike profesionale”. Duke veçuar reformën e ndaj universiteteve si rrënjësore në arsim, Peleshi tha se qeveria është angazhuar gjithashtu me investime në arsimin profesional. Duke folur për një model të ri suksesi në karrierë, Peleshi tha se tashmë i është dhënë fund gjetjes së punës përmes teserës së partisë.
“Arsimi i ka dhënë fund hallakatjeve të tranzicionit dhe ka hyrë në normalitet. Reformat e kësaj vere kanë qenë të mëdha edhe për arsimin profesional por edhe për arsimin e lartë. Qeveria është e vendosur të investojë për të afruar tregun e punës me tregun e sapodiplomuarve. Ka një paradoks. Ne ankohemi për papunësinë e lartë, por nga ana tjetër ka shumë biznese që nuk plotësojnë dot vendet bosh sepse nuk gjejnë dot specialistin. Investimi në arsimin profesional do të thotë të dimë se çfarë kërkon tregu. Jemi të vendosur për të investuar drejt një modeli të ri të suksesit, jo të atij që ka një diplomë dhe gjen rrugën përmes teserës të partisë për të gjetur një punë. Modeli i suksesit në karrierë duhet të jenë dijet. Nuk ka fare rëndësi se çfarë pune bën, por atë që bën ta bësh me pasion dhe të jesh i pari tek ai zanat. Nuk jeni vetëm, por jeni nën vëmendjen dhe kujdesin e investimeve të qeverisë shqiptare”, - u shpreh zv/kryeministri Niko Peleshi.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)