INSTAT: Tekstilet për herë të parë në rënie në gusht, nafta dhe metalet rrisin eksportet

INSTAT: Tekstilet për herë të parë në rënie në gusht, nafta dhe metalet rrisin eksportet

Foto ilustruese

Shitjet e produkteve jashtë vendit arritën në 205 miliardë lekë për periudhën janar-gusht, duke shënuar një rritje prej 16.1% me bazë vjetore, sipas shifrave të publikuara nga INSTAT. Dy janë grupet që po nxisin këtë rritje, “minerale, lëndë djegëse dhe energji” dhe “materiale ndërtimi dhe metale”. Ndërsa “tekstile dhe këpucë”, që është grupi kryesor i eksportuar në vend ka shënuar rënie për herë të parë në muajin gusht.

Për 8 mujorin, eksportet e “tekstile dhe këpucë” arritën në 82 miliardë lekë, me një rritje prej 6.7% me bazë vjetore, nga zgjerimet dyshifrore të një viti më parë. Ndërsa në gusht, ky grup shënoi rënie për herë të parë në më shumë se tre vjet, teksa eksportet ishin rreth 7% më të ulëta në raport me gushtin e një viti më parë.

Flamur Hoxha, sipërmarrës i kompanisë së prodhimit të këmishave “Kler”, e shpjegon këtë rënie me dy fenomene. Së pari, në muajin gusht ka një rënie të aktivitetit sepse shumë klientë tentojnë t’i dorëzojnë porositë përpara gushtit dhe kjo tendencë është ishte në rritje vitin e fundit. Nga ana tjetër është zgjatur dhe periudha e pushimeve të partnerëve italianë dhe janë hapur fabrikat me tre shtator, duke ndikuar negativisht në deklarat doganore të gushtit.

Faktori i dytë, që ka ndikuar në ngadalësimin e eksporteve përgjatë gjithë vitit është kursi i këmbimit, teksa vetëm si rrjedhojë e zhvlerësimit të euros, rënia e të ardhurave ka qenë 8-10%. Kërkesa është e njëjtë me një vit më parë, tha Hoxha për “Monitor”, por kursi na ka dëmtuar shumë. Ai thotë se zgjidhja e vetme është që kjo humbje të transferohet në rritjen e çmimit dhe thotë se ia ka dalë të bindë partnerët italianë për një rritje 10% të çmimit për dy fabrikat e tij.

“I bëj thirrje sipërmarrësve të mos kenë frikë të kërkojnë rritje çmimesh, sepse kërkesa është shumë e lartë”, pohon Hoxha. Sipas tij,  sipërmarrësit shqiptarë duhet të jenë pak më agresive dhe të kërkojnë rritje çmimesh, pasi  Shqipëria ka ende avantazhin e kostos, sepse çmimet janë ende shumë më të lira se në Bullgari e Rumani, që e dorëzojnë produktin me kosto 50% më të shtrenjtë sesa në Shqipëri. Psh, një palë pantallona në Shqipëri prodhohen me 3.5euro, në Bullgari e Rumani, me minimumi 5 euro.

Tekstilet e këpucët mbeten grupi më i madh i eksporteve në vend, me 40% të totalit, nga 44% për 8 mujorin e një viti më parë. Grupi që ka shënuar rritjen më të madhe këtë vit është ai i “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, eksportet e të cilit arritën në 40 miliardë lekë për 8 mujorin, me një zgjerim prej gati 40%, duke kaluar sërish në grupin e dytë më të eksportuar në vend (20% e totalit për 8 mujorin). Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend dhe eksportuesi më i madh, ka rritur ndjeshëm eksportet dhe destinacioni kryesor është Spanja, teksa eksportet në total drejt këtij shteti u rritën me 65% për 8 mujorin.

Në rritje ishin dhe eksportet e “materiale ndërtimi dhe metale”, që arritën në 35 miliardë lekë, me një zgjerim prej 27%, të ndikuara kryesisht nga kompania Kurum, e cila pasi ka funksionuar ristrukturimi për efekt falimenti i shpallur në mars 2017 është vënë në eficiencë të plotë dhe ka zgjeruar eksportet e metaleve kryesisht në tregjet e rajonit, ku mbizotëron Kosova. Megjithatë, burime nga kompania kanë pohuar për Monitor se edhe ata janë prekur nga efekti i kursit të këmbimit, që ka ulur të ardhurat e tyre. Ky grup zinte 17% të totalit për 8 mujorin.

Eksportet e “ushqimeve pijeve dhe duhanit“, që dikur rriteshin me ritme dy shifrore,  u zgjeruan me 8.7% për 8 mujorin.  Sipas fermerëve, ndikimin kryesor e ka dhënë prodhimi më i pakët i domates dhe kastravecit dhe sëmundjet që u kanë rënë produkteve bujqësore.

Ecuri pozitive shënuan dhe eksportet e “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, që u rritën me 21% në 11 miliardë lekë, si rrjedhojë e aktivitetit të kompanive gjermane që prodhojnë me fason kabllo elektrike, si Forschner.

Sipas INSTAT, për 8 mujorin, Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +6,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +2,9 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,03 pikë përqindje.

Ulet deficiti tregtar

Në tetëmujorin e vitit 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 205 mld lekë, duke u rritur me 16,1 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 416 mld lekë, duke u rritur me 4,0 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 211 mld lekë, duke u ulur me 5,6 %, krahasuar me vitin 2017. Në këtë tetëmujor importet janë rritur me 4,0 %, krahasuar me tetëmujorin 2017. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve janë: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +1,7 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +0,3 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,1 pikë përqindje.

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin Gusht 2018, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2017, janë: Kosova (44,7 %), Spanja (29,7 %) dhe Gjermania (31,1 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-6,3 %), Maqedonia (-18,2 %) dhe SHBA-ja  (-18,1 %). Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (4,3 %), Kosova (21,8 %) dhe Spanja (65,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina (-30,5 %), Turqia (-6,1 %) dhe Ukraina (-53,0 %).

Në muajin Gusht 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në  krahasim me Gusht 2017, janë: Italia (0,3 %), Turqia (11,6 %) dhe Maqedonia  (29,6 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina (-1,4 %), Greqia (-11,9 %) dhe Gjermania (-0,8 %). Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (0,9 %), Greqia (1,5 %) dhe Turqia (3,8 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Gjermania  (-2,0 %), Spanja (-4,3 %) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (-3,6 %)./Monitor
 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'