Telefonata që ndezi gjakrat
 Artur Kurti u rikthye me thikë

Telefonata që ndezi gjakrat<br /> Artur Kurti u rikthye me thikë
Shkak i konfliktit brënda familjes ku dy netë më parë në Tiranë mbeti i vdekur Artur Kurti dhe u plagos kunati i tij rezulton një telefonatë me tone fyese midis tyre, për shkak të konflikteve që Kurti kishte me ish gruan e tij njëherazi motra e Leonardit. Këtë e bën me dije prokuroria e cila ka marrë dëshmitë e djalit të viktimës Jurgen Kurti, kunatit Leonard Ristani dhe bashkëshortes së viktimës Sh.Kurti.

Sipas rindërtimit të ngjarjes mësohet se Artur Kurti ka shkuar në banesën ku ishte vendosur gruaja me të cilën prej 4 muaj ai kish vendosur divorcin dhe djali i tij. Aty ai ka gjetur dhe kunatin me të cilin është përleshur dhe thika me të cilën Arturi kish shkuar në banesën e ish gruas, i ka marr jetën atij dhe ka plagosur kunatin.

Ngjarja

Në datë 04.04.2016,rreth orës 21.30 nga shërbimet e policisë gjyqësore është marrë njoftim se në vendin e quajtur Njësia Administrative nr.5, rruga “Zef Jubani”, kishte ndodhur një vrasje brenda familjes dhe konkretisht ishte vrarë shtetasi Artur Kurti. Më pas, në lidhje me këtë ngjarje në Spitalin e Traumës kishte shkuar një shtetas i dëmtuar me armë të ftohta, i cili është identifikuar si shtetasi Leonard Ristani.

Në apartamentin ku kishte ndodhur ngjarja banonin shtetasja Sh. Kurti dhe djali i saj Jurgen. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes rreth 1m para derës së hyrjes për në këtë banesë, në korridorin e përbashkët është gjendur i shtrirë me fytyrë nga dyshemeja kufoma e shtetasit Artur Kurti. Në brendësi te banesës, mbi sipërfaqen e dyshemesë së saj, janë gjetur njolla me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut. Në vijim të kqyrjes ndërmjet sheshpushimit të katit të V-të dhe sheshpushimit të katit të IV-ët është gjetur dhe sekuestruar një thikë me bisht me ngjyrë të kuqe me gjatësi rreth 29 cm, e cila në sipërfaqen e saj kishte mbetje me ngjyë të kuqe si ajo e gjakut.

Gjatë kqyrjes së kufomës së shetasit Artur Kurti, është konstatuar një plagë në gjoks dhe një plagë në fytyrë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur shtetaset Sh. Kurti (bashëshortja e viktimës) dhe shtetasja L.P (komshija i tyre).Ndërsa shtetasi Jurgen Kurti ishte në spital, pasi ka shoqëruar dajën e tij Leonard Ristani, i cili ishte plagosur në ngjarje.

Versioni i kunatit

Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime shtetasi Leonard Ristani i cili shpjegon se motra e tij Sh. Kurti, pas një bashkëjetese shumëvjeçare me bashkëshrtin e saj Artur Kurti, kishte mbi katër muaj që kishin vendosur të ndaheshin për probleme të ndryshme dhe motra e tij së bashku me djalin ishin larguar nga banesa ku kishin jetuar së bashku për t’u zhvendosur në një banesë tjetër në rrugën “Zef Jubani” e cila po ashtu ishte në bashkëpronësinë e tyre.

Gjatë kësaj periudhe ndarjeje, sipas tij, kunati i tij duke qenë se konsumonte alkol shkonte tek banesa ku jetonte motra e tij dhe kryente veprime të ndryshme duke dhunuar derën e jashtme të banesës si dhe duke fyer dhe ofenduar bashkëshorten e tij me tone të larta. E njëjtja gjë ndodhi edhe më datën 04.04.2016, ku rreth orës 19.00, shtetasi Leonard Ristani është telefonuar nga motra e tij, e cila i kishte thënë se bashkëshorti i saj Arturi kishte shkuar përsëri tek dera e jashtme e banesës dhe kishte dëmtuar derën fizkisht duke i rënë me shkelma si dhe duke sharë, fyer dhe ofenduar bashkëshorten e tij.

Në këto kushte shtetasi Leonard Ristani ka shkuar në banesën e motrës së tij. Në kohën kur ka shkuar në këtë banesë, shtetasi Artur Kurti ishte larguar dhe në banesë ndodheshin motra e tij Sh...., shoqja dhe komshija e saj, L.P. dhe nipi i tij, Jurgen Kurti. Viktima ka marrë në telefon Sh.... dhe telefonin e ka marrë Leonardi dhe është përgjigjur.

Arturi ka filluar ta fyejë dhe ofendojë Leornardin në telefon dhe i ka kërkuar ta priste tek banesa. Më vonë ka shkuar aty viktima dhe ka trokitur, ku derën e ka hapur Leonardi. Viktima ka dashur të hyjë brenda dhe Leonardi nuk e lejonte. Në ato momente viktima ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur me të Leonardin, i cili ka bërë përpjekje për t’u mbrojtur, duke arritur t’ia marrë thikën nga dora dhe e ka goditur viktimën i cili ka rënë në tokë dhe më pas ka gjetur vdekjen.

Versioni i djalit

Është pyetur shtetasi Jurgen Kurti ka deklaruar se rreth orës 19.00 ka rënë dera e banesës së tyre dhe ka degjuar babain e tij Arturin të bërtiste, shante dhe ofendonte nënën e tij, por ata nuk e kanë hapur derën dhe ai ishte larguar nga banesa. Pasi është larguar babai i tij nga banesa, nëna e tij ka njoftuar në telefon vëllain e saj (njëkohësisht dajon e tij) shtetasin Leonard Ristani, i cili ka mbërritur aty.

Në banesë në këtë moment ndodhej veç nënës, dajës edhe shoqja e nënës e quajtur K.... Në këtë moment ka marrë në telefon viktima dhe telefonin e ka ngitur Leonardi, të cilin ai e ka sharë dhe ofenduar. Rreth 15 minuta pas kësaj telefonate ka rënë zilja e derës dhe për të shkuar dhe të hapte derën ka shkur Leonardi. Pasi ka hapur derën i ati i tij Arturi ka filluar të shtyhej me Leonardin dhe një moment i ati i tij ka nxjerrë një thikë të madhe me bisht të kuq dhe menjëherë Leonardi është tërhequr për në brendësi të banesës, pasi ndodheshin tek dera e jashtme.

Sipas tij, me këtë thikë, viktima po godiste Leonardin, i cili është rrëzuar në dysheme dhe po godiste me këmbë për të mos lejuar Arturin t’i afrohej me thikë. Në këtë moment ka parë që babai i tij ka ecur dy-tre hapa për nga dera e jashtme dhe i gjakosur në pjesën e kraharorit ka rënë në korridorin para derës së jashtme .Ai më pas ka shoqëruar Leonardin për në spitali i Traumës për të marrë ndihmën mjekësore.

Nisur nga rrethanat e sipërpërmendura,policia gjyqësore ka arrestuar në flagrancë shtetasit Leonard Ristani dhe Jurgen Kurti si persona të dyshuar për kryerje të veprave penale të “Vrasje për shkak të marrdhënieve familjare “ dhe “prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta” , të parashikuara nga nenet 79/c-25 e 279/1 të Kodit Penal.

Redaskia online
(shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Hani i Hotit/ I dënuar me 4 vite burg nga drejtësia polake, kapet 61-vjeçari me qëllim ekstradimin (EMRI)

Hani i Hotit/ I dënuar me 4 vite burg nga drejtësia polake, kapet 61-vjeçari me qëllim ekstradimin (EMRI)