Telefoni i prishur i Kryeministrit

Telefoni i prishur i Kryeministrit
Kryeministri i Kosovës nuk lexon. Ai nuk lexon gazeta, ai nuk lexon portale në internet, e larg qoftë t’i shkoj mendja të prek me dorë ndonjë libër. Ky fakt nuk do të duhej të ishte aq tronditës kur kihet parasysh se miliona euro në vit shkojnë ne xhepat e këshilltarëve të shumtë që e rrethojnë premierin e Kosovës. Dëshpërimi vjen kur kuptojmë se as këshilltarët që do të duhej të bënin leximin për të nuk e bëjnë, apo të paktën nuk e bëjnë si duhet.
Për pasojë, kryeministri tash e sa herë gjendet në pozitë të palakmueshme kur komenton dokumente. Fati në fatkeqësi qëndron se fjalimet e tij janë të mbushura përplot broçkulla, e dokumente substanciale nuk komenton shpesh. Sa më pak dokumente, aq më pak punë për këshilltarët, e po aq më pak turp për kryeministrin.
Ditë më parë, nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, ia ka drejtuar, mes tjerësh, një letër Presidentit të Shqipërisë, z. Bamir Topit, lidhur me situatën në Mitrovicë.
Në letër shkruan:

Shkelqësia Juaj, Z. President
Tashmë është bërë e qartë situata e terrorit dhe rrezikut për spastrim të ri etnik në pjesën veriore të Mitrovicës. Sulmi i datës 8 prill 2012 ndaj familjes Haradinaj pati për pasojë vdekjen e Selver Haradinajt dhe plagosjen e fëmijëve të tij. Të nesërmen, në të njëjtën lagje, u mor peng polici i Kosovës, u përzë patrulla policore dhe u shkatërrua pika e saj statike, kurse gazetarët u sulmuan dhe pati dhunë ndaj tyre. Të gjitha këto janë më se të mjaftueshme për ta provuar qëllimin e strukturave armiqësore e kriminale të Serbisë në veri të lumit Ibër.
Siç e dini, Republika e Kosovës nuk mundet që këtë çështje ta iniciojë për diskutim në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO.
Ndërsa Ju, si përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në OKB dhe NATO, mundeni që ta inicioni diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë.
Nevojitet pra, veprim politik e diplomatik kombëtar, para se përmasat e spastrimit më të ri etnik ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, të ngjajnë me ato të viteve 1998, 1999 dhe 2000.
Ndihma Juaj në këto momente është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme.
Me respekt dhe mirënjohje,
Albin Kurti

Kryeministrit Thaçi i kishte shkuar lajmi se Lëvizja VETËVENDOSJE! ishte vënë në aksion për çështjen e Mitrovicës. Për fat të keq, portparolët e tij, edhe kësaj radhe funksionuan si telefoni i prishur. Si rezultat ai pranoi vetëm këtë mesazh: “Kurti i tha Bamir Topit me mbledhë Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Mitrovicën.”
Pastaj, pasoi komenti i kryeministrit në Kuvendin e Kosovës, i cili s’merrej me Mitrovicën por merret me opozitën që merret me Mitrovicën, duke e quajtur “gabim katastrofal kërkesën e Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurimit”.
Sikur kryeministri ta kishte lexuar letrën me vëmendje do ta kuptonte se Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurimit, por ka kërkuar që çështja të ngritet në forumet e OKB-së dhe të NATO-s. Dhe se një gjë e tillë është kërkuar ngase Kosova nuk ka qasje në këto forume meqë nuk është anëtare e këtyre institucioneve të paqes e sigurisë kolektive. Prandaj, është rast i mirë që Shqipëria, si anëtare e këtyre organizatave dhe si shteti amë, ta ngriste si shqetësim gjendjen në Mitrovicë në raport me stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Qëllimisht nuk është specifikuar se ku dhe si në OKB e NATO do të bëhej ngritej ai diskutim, në çfarë foruemsh e takimesh, duke ia lënë këtë gjë Presidentit Topi të vendos ashtu siç ai dhe shteti shqiptar mendojnë se është më së miri.
Sikur kryeministri të ishte pak më modest dhe ta kuptonte paditurinë e tij të paskajshme, ai do të kërkonte ndihmën e këshilltarëve para se të bëntë një koment të tillë tarallak. Me një kërkim të thjeshtë në Google, ata do të gjenin se Shqipëria, ndonëse është anëtare në OKB që nga viti 1955, ajo nuk ka qenë kurrë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ajo vetëm ka paralajmëruar kandidaturën për t’u bërë anëtare e Këshillit të Sigurimit për mandatin e vitit 2022-2023. Dhe kur shikohen rregullat e procedurës së Këshillit të Sigurimit del se vetëm anëtarët mund t’i kërkojnë Presidentit të OKB-së të thërras një mbledhje të Këshillit të Sigurimit.
Për më tepër, në vend se të “shqetësohej” për kërkesën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të duhej të shqetësohej për faktin se si atij nuk iu kujtua ta bënte një kërkesë të tillë tek miqtë ndërkombëtar meqë ishte fare pranë selisë së OKB-së dhe ishte në shoqëri të qarqeve me ndikim në këtë mekanizëm, në kohën kur ndodhën ngjarjet e fundit tronditëse në Mitrovicë.
Për kryeministrin çdo iniciativë për të mirën e Kosovës që autor e ka kundërshtarin politik, duhet kundërshtuar. Kështu, kryeministrin më shumë e preokupojnë sfilatat në korridoret e Shtëpisë së Bardhë sesa mirëqenia dhe siguria e banorëve të “shtëpisë së tij”.

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje