Vera përvëluese në Europë do t’u lërë vendin reshjeve që mund të përshkallëzojnë deri në përmbytje në disa rajone, paralajmërojnë ekspertët e motit.

Të dhënat nga platforma globale e parashikimit të motit WFY24 tregojnë se java e parë e shtatorit do të vijojë e ngrohtë në të gjithë rajonin e Mesdheut, me temperatura maksimale ditore mesatare prej rreth 35°C në Romë, 34°C në Athinë dhe 33°C në Madrid.

Kjo është rreth 6–8°C mbi mesataren sezonale për fillimin e shtatorit, duke sugjeruar se verat ekstreme të Europës po zgjasin dhe po shtrihen më tej.

Ndërkohë, Europa Veriore po përjeton kushte shumë më “të freskëta dhe të paqëndrueshme”, me temperatura maksimale prej vetëm 21°C në Berlin dhe 20°C në Londër. Shirat e dendur dhe stuhitë kanë ndërprerë tashmë valën e të nxehtit dhe kanë lagur tokat e thara në pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe Francës.

Mesdheu pritet të përjetojë rritjen më të madhe të reshjeve.

“Shtatori dhe tetori janë sezoni i përmbytjeve të menjëhershme në Mesdhe: deti është në temperaturën më të lartë vjetore pas tre muajsh ngrohjeje, ndërsa rrymat e para të ftohta mbërrijnë në lartësi,” thotë Ioanna Vergini, themeluese e WFY24.

Aktualisht vëmendja është te fenomeni El Niño, për të cilin ekspertët kanë paralajmëruar se mund të jetë “më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë” këtë vit.

Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëron se ky fenomen i motit vazhdon të “intensifikohet në mënyrë të qëndrueshme” dhe pritet të “dominojë modelet klimatike” gjatë dy muajve të ardhshëm.

El Niño rrit temperaturat globale duke krijuar kushtet për episode më të shpeshta të motit ekstrem. Megjithatë, këto efekte ndihen kryesisht në zonat tropikale.

Amerika e Jugut, jugu i SHBA-ve, Afrika Lindore dhe Azia Qendrore kanë përjetuar rritje të rrezikut nga përmbytjet gjatë episodeve të mëparshme El Niño, ndërsa rreziku nga thatësirat dhe zjarret rritet në pjesë të Australisë, në zonat veriore të Amerikës së Jugut dhe në disa vende aziatike, si Indonezia.

Pavarësisht raportimeve që lidhin verën përvëluese të Europës me El Niño-n e këtij viti, ekspertët kanë përsëritur se fajin kryesor e kanë ndryshimet klimatike./Euronews