Urdhri i kryepolicit
Sipas urdhërit të kryepolicit Burgaj për çdo defekt apo mos përputhje që konstatohet në objektet e uniformës nga momenti i vënies në përdorim, deri në një vit dhe që vijnë si rezultat i cilësisë së dobët, të grumbullohen, të dokumentohen me procesverbal, ku të përcaktohet emër, mbiemër, nr. RMIS, funksioni që kryen punonjësi, të specifikohet natyra defektit dhe të dërgohen në QFMT, për zëvendësimin e tyre, me shkresë zyrtare, kopje e të cilës t'i dërgohet për njohje subjektit "Gjergjefi" shpk si dhe mbikëqyrësit të kontratës, Genti Guxho, Departamenti i Tekstilit dhe Modës. Çdo konstatim i të metave të sendit, (objekteve të uniformës),që nuk reklamohen tek subjekti sipërmarrës brenda dhjetë ditëve nga zbulimi i tyre pas kësaj humbet të drejtën e reklamimit. Ndërkohë që për defektet që vijnë si pasojë e shkeljes së instruktazhit të përdorimit, mirëmbajtjes, larjes, pastrimit, etj, të objekteve të uniformës, subjekti sipërmarrës nuk mban përgjegjësi. Qendra e furnizimit materialo-teknik, Mullet, të marrë masat për pritjen e objekteve të uniformës me defekte, që do të dorëzohen nga njësitë shpenzuese, duke hartuar një fletë hyrje provizore. Në këtë këndvështrim të përgatitet një ambient i veçantë për magazinimin e objekteve të defektuara për reklamimin dhe kthimin mbrapsht subjektit sipërmarrës për zëvendësim. Komisioni mblidhet të premten e fundit të çdo muaji. Për çdo mbledhje hartohet procesverbali ku evidentohen të gjitha objektet e kthyera dhe rekomandimet përkatëse. Mbi bazën e procesverbalit, Drejtoria Ekonomike autorizon subjektin kontraktues të zëvendësojë objektin e dëmtuar brenda dhjetë ditëve nga momenti i njoftimit.
Analizat në Belgjikë
Në një lidhje telefonike kryepolici Hysni Burgaj, pranoi se në disa uniforma janë hasur probleme, por për sa i përket cilësisë së materialit të tyre ai tha se është i cilësisë së lartë."Unë të garantoj se materiali është me cilësi, pasi i kemi bërë analizat deri në Belgjikë dhe kemi dalë në përfundimin se uniformat përpunohen me një material me cilësi të lartë"- u shpreh drejtori Hysni Burgaj.
(sg/shqiptarja.com)
