TIRANË- Ishte njoftuar si një protestë e studentëve, por në pjesën dërmuese ishin ata që shfaqen mbrëmjeve në protestat e të vetëquajturve "Flamingo". Rreth orës 14:00, protestuesit u shfaqën para godinës. Me thirrjet “dorëheqje”, “revolucion”, “ju erdhi fundi”, ata protestuan të qetë për një orë para Ministrisë së Arsimit, po rreth orës 15:00 nisën aktet e dhunës. Vezë, molotovë, gurë e letra higjienike u hodhën në drejtim të godinës, ndërsa me bojë lanë disa mbishkrime mbi mure “turp”, “Ikni”, “këtu vendosim ne”.

Dhuna duket një strategji e menduar nga protestuesit, të cilët vijën e parë dhe sulmet ia kishin lënë një grupi të rinjsh me masa të zeza apo kirurgjikale me qëllim që mos të identifikoheshin nga policia.

Të rinjtë shkulën kangjellat e trotuarit dhe nisën t’i hedhin në drejtim të godinës. Sulmuan me kangjella edhe një prej portave të Ministrisë, çka bëri që një grup protestuesish të futeshin brenda oborrit të godinës.

Deri në këto momente forcat e policisë nuk kishin ndërhyrë. Menjëherë krijuan një kordon sigurie brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit. Pavarësisht thirrjeve të bluve, protestuesit nuk i ndalën sulmet, kësaj radhe edhe në drejtim të vetë efektivëve. Të rinjtë e maskuar hodhën edhe pllaka trotuari drejt godinës së Ministrisë së Arsimit, ku thyen edhe disa xhama.

Policia ndërhyri duke hedhur spraj me piper, gaz lotsjellës si dhe sasi të mëdha uji nga autobotet që ishin në gatishmëri. Protestuesit e dhunshëm, efektivët i ndoqën, duke shoqëruar 23 prej tyre. Gjashtë efektivë dhe gazetarja e FaxNews Fatime Halmus mbetën të lënduar të cilët janë dërguar te Trauma për të marrë ndihmë mjekësore. Një i moshuar humbi ndjenjat.

Pas rreth një ore betejë, protestuesit duket sikur u shpërndanë. Por të organizuar me dy grupe, ata po vijojnë përplasjen me forcat e policisë, duke u kthyer herë pas herë në afërsi të Ministrisë, ndërsa policia përgjigjet me gazlotsjellës dhe ujë.

Edhe pse u promovua si protestë e studentëve kundër kushteve në të cilat gjendet arsimi, në të morën pjesë jo vetëm “Flamingot” por edhe eksponentë të opozitës si Ilirjana Kuçana e PD, eksponentë të FRPD, deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri deri të dhëndri i Sali Berishës Jamarbër Malltezi i cili ishte në terren duke ndarë video nga protesta në rrjetin e tij social Facebook.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:37
Tensione në protestë/ Protestuesit ndezin tre zjarre në ‘Rrugën e Durrësit’

 

Protestuesit kanë ndezur tre zjarre te “Rruga e Durrësit.” Njëri është në fillim të “Rrugës së Durrësit”, një te degëzimi me “Mine Pezën”, ndërsa po digjet edhe një tabelë reklamash.

Vihet re se situata vijon e tensionuar. Pas përpjekjes së policisë për t’i shpërndarë, protestuesit janë rikthyer.

Ora 18:05
Sërish tensione, protestuesit dhunojnë policin, një i shoqëruar (VIDEO)

 

Një grup protestuesish ka sulmuar fizikisht një polic. Është shoqëruar një prej protestuesve, i cili ndodhej në një biçikletë.

Ora 17:56
Protesta bllokon qarkullimin, trafik i rënduar! Unaza nuk funksionon plotësisht

1791907055_protestatkunderqeverise.jpg

Protesta në “Rrugën e Durrësit” te Ministria e Arsimit ka krijuar bllokim të qarkullimit dhe trafik. Disa rrugë kanë mbingarkesë dhe ka devijim të qarkullimit. As Unaza nuk funksionon plotësisht.

Ora 17:47
6 efektivë u lënduan nga protestuesit, reagon Demo: Dhuna e pajustifikueshme, e dënoj pa rezervë! Pjesëmarrësit të ruajnë qetësinë (VIDEO)

 

Ministri i Brendshëm Ervin Demo dënon dhunën e protestuesve ndaj policisë. Ai shpreh mbështetje dhe solidaritet të plotë ndaj efektivëve të lënduar.

Protestuesve u thotë se dhuna nuk justifikohet dhe goditja e policëve s’është ushtrim i së drejtës për të protestuar. Ai kërkon përmbajtje nga të gjitha palët për të ulur tensionet.

Reagimi i plotë:

"Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar.

U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë, dhuna nuk justifikohet.

U uroj shërim të shpejtë efektivëve të plagosur. Ata dhe familjet e tyre kanë mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë.

Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin.

Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve", shkruan ministri i Brendshëm.

Ora 17:47
Protestuesit e maskuar vendosin kangjellat e shkulura në mes të rrugës, tentojnë të bllokojnë autobotin e ujit (VIDEO)

 

Report Tv sjell videot të momentit kur një grup protestuesish të maskuar vendosin në mes të rrugës kangjellat që kanë shkulur nga trotuaret. Ata tentojnë të bllokojnë rrugën për autobotin e ujit, pas të cilit ndodhen edhe policët. Protestuesit i sulmuan efektivët edhe me gurë.

Ora 17:40
Protesta te Ministria e Arsimit, momenti kur protestuesit sulmojnë me gurë policët dhe autobotët e ujit (VIDEO)

 

Report Tv sjell një tjetër pamje nga protesta para ministrisë së Arsimit. Protestuesit dallohen teksa qëllojnë me gurë në drejtim të autobotëve të ujit dhe policëve.

Ora 17:36
Tensionet në protestë, reagon policia: 23 të shoqëruar, janë lënduar 6 efektivë dhe një gazetare

1791904405_makina4ujesjelles.jpg

Policia ka reaguar lidhur me zhvillimet e ndodhura në protestën para Ministrisë së Arsimit duke renditur incidentet dhe veprimet e dhunshme të protestuesve.

Për shkak të mosbindjes së tyre ndaj thirrjeve të përsëritura të policisë, janë shoqëruar 23 protestues. 6 efektivë të Forcës së Sigurisë janë lënduar, si dhe gazetarja Fatime Halmusa, të gjithë jashtë rrezikut për jetën.

Policia shprehet se garanton të drejtën e qytetarëve për protestë, por bën thirrje që të mos ketë veprime kundër ligjit dhe rendit publik.

Deklarata e plotë:

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë tubimit që do të zhvillohej mesditën e sotme, në afërsi të godinës së Ministrisë së Arsimit, Policia e Shtetit hartoi një plan masash, në zbatim të ligjit dhe procedurave standarde të punës.

Gjatë zhvillimit të tubimit, një grup pjesëmarrësish kanë kryer veprime të dhunshme, duke dëmtuar rrethimin e jashtëm dhe më pas për të hyrë në oborr, kanë dëmtuar edhe portën hyrëse. Gjithashtu, kanë vijuar të thyejnë dhe të dëmtojnë me pllaka guri dhe sende të forta xhamat dhe fasadën e godinës.

Punonjësit e Policisë u kanë bërë thirrje të ndalonin sulmin ndaj institucionit, por ata kanë vijuar të godasin punonjësit e Policisë me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta.

Punonjësit e Policisë u kanë bërë sërish thirrje personave të dhunshëm që të ndalonin sulmin dhe të dilnin nga oborri i godinës së Ministrisë, por pjesëmarrësit nuk u janë bindur thirrjeve të përsëritura të Policisë.

Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit.

Njëkohësisht, kanë shoqëruar 23 prej tyre për veprime të mëtejshme procedurale

Si pasojë e sulmit nga persona të maskuar, pjesëmarrës në protestë, janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, si dhe një shtetase, gazetare. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Strukturat hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë këtij tubimi.

Policia e Shtetit thekson sërish angazhimin e saj për të garantuar plotësisht ushtrimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor dhe fton pjesëmarrësit në tubime që të mos bëhen pjesë e veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, pasi do të përballen me pasojat penale që parashikon ligji.

Ora 17:08
Protestuesit i vënë zjarrin tabelës reklamuese në rrugë (VIDEO)

 

Protestuesit i kanë vënë flakën një tabele reklamash në hyrje të “Rrugës së Durrësit.” Më herët, ata dogjën edhe disa kartonë në mes të rrugës.

Ora 16:47
‘Të shqyej po e preke’, protestueset kundërshtojnë policinë, refuzojnë të largohen nga “Rruga e Durrësit” (VIDEO)

 

Dy protestuese, një vajzë dhe një grua që duket të jetë nëna e saj, kanë kundërshtuar kërkesën e policisë për t’u larguar nga “Rruga e Durrësit.”

Polici: Ec para!

Thirrje: Mos i arresto nënën dhe motrën tënde!

Gruaja: Prek me dorë ti fëmijën tim, unë të shqyej!

Vajza: Unë jam studentja që dal në protestë para jush!

Gruaja: Çfarë jeni ju?

Polici: Mos prek me dorë thashë!

Ora 16:31
Protesta te Ministria e Arsimit, policia shpërndan protestuesit në rrugët dytësore (VIDEO)

 

Policia ka nisur me shpërndarjen edhe të protestuesve që janë pozicionuar në rrugët dytësore pranë “Rrugës së Durrësit”, duke vendosur edhe kordon sigurie.

Ora 16:19
Protesta te Ministria e Arsimit, policia shoqëron protestuesin e gjakosur! Ilirjana Kuçana tenton të ndalojë efektivët (VIDEO)

 

Në kryqëzimin mes “Rrugës së Durrësit” dhe “Mine Peza”, po vijon përplasja mes protestuesve dhe policisë. Gjithashtu, një prej tyre është shoqëruar, ndërsa shihet i gjakosur në fytyrë.

Ilirjana Kuçana nga Partia Demokratike u përpoq ta ndalonte shoqërimin e tij, bashkë me disa protestues të tjerë.

Ora 16:10
Xhamat të bëra copash, pamjet e dëmeve të sulmit me pllaka trotuari ndaj Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

Një grup protestuesish të maskuar sulmuan më pllaka trotuari godinën e Ministrisë së Arsimit.  Këto janë dëmet që ka lënë pas sulmi, me xhamat e thyera dhe të bëra copash.

Ora 16:10
Tensionet në protestën te Ministria e Arsimit, një efektiv i lënduar (VIDEO)

 

Një efektiv policie është lënduar gjatë protestës së studentëve te Ministria e Arsimit. Ai është marrë në autoambulancë për ndihmë mjekësore.

Ora 16:06
Protestuesit i vënë flakën kartonëve në rrugën pranë Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Një grup protestuesish i kanë vënë flakën një grumbulli kartonësh dhe sende të tjera në mes të rrugës pranë Ministrisë së Arsimit.

Ora 16:01
Protestues të maskuar shkulin kangjellat buzë trotuarit te Ministria e Arsimit, hedhin molotov e kapsollë! Policia kundërpërgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Protesta te Ministria e Arsimit ka marrë sërish hov. Protestuesit po hedhin gurë, sende të forta, kapsolla dhe po shkulin kangjellat në rrugë. Kangjellat buzë trotuarit janë shkulur nga një grup protestuesish të maskuar.

Policia po kundërpërgjigjet me ujë dhe ka krijuar një kordon sigurie. Njëkohësisht po përdoret edhe gaz lotsjellës nga policia, ndërsa protestuesit kanë hedhur edhe molotov.

Ora 15:59
Momenti kur të rinjtë e maskuar shkulnin kangjellat para Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Ky është momenti kur të rinj të maskuar shkulin kangjellat para Ministrisë së Arsimit

Ora 15:46
‘Nuk ju duam’, protestuesit lënë shkrime në muret e Ministrisë së Arsimit! Xhama të thyer, gjurmë boje e vezësh në fasadë (VIDEO)

 

Xhama të thyer, gjurmë boje të kuqe e vezësh dhe shkrime si ‘ikni’, 'rezisto' apo ‘nuk ju duam’ shihen mbi fasadën e godinës së Ministrisë së Arsimit.

Ora 15:24
Protesta te Ministria e Arsimit, rruga mbulohet nga gurët e hedhur nga protestuesit

Pllakat dhe gurët e hedhur nga protestuesit kanë mbushur rrugën përpara Ministrisë së Arsimit. Ata kanë shkulur pllakat në trotuare për t’i hedhur kundrejt godinës së institucionit, si dhe ndaj efektivëve.

Ora 15:21
Protesta te Ministria e Arsimit, një i moshuar humb ndjenjat! Largohet me ambulancë

Një i moshuar në protestën te Ministria e Arsimit ka humbur ndjenjat në rrugë. Pranë i janë gjendur protestuesit të cilët po përpiqen t’i japin ndihmën e parë. Ndërkohë ka mbërritur edhe ambulanca për ta dërguar në spital.

Ora 15:16
Përplasje fizike mes protestuesve e policisë, disa të shoqëruar (VIDEO)

 

Përplasje fizike po ndodhin midis policisë dhe protestuesve në protestën te Ministria e Arsimit. Një protestues shihet teksa bën rezistencë, ndërsa efektivët e kapin për ta shoqëruar. Mësohet se deri më tani ka disa shoqërime, por nuk ka ende një numër të saktë.

Sipas raportimeve, protestuesit janë ndarë në dy grupe, një pranë autobotit  me ujë dhe një pjesë tjetër e kufizuar nga kordoni i policisë. Të rinjtë po hedhin edhe vezë drejt efektivëve.

Ora 15:08
Pas akteve të dhunës te Ministria e Arsimit, Policia nis të shpërndajë protestuesit me ujë

 Pas akteve të dhunës te Ministria e Arsimit, Policia nis të shpërndajë protestuesit me ujë 

Ora 15:05
Protesta te Ministria e Arsimit, protestuesit hedhin fishekzjarre, policia tenton t’i shpërndajë me ujë e gaz lotsjellës

Protestuesit që po protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit kanë hedhur edhe fishekzjarre, flakadanë e ujë. Ndërkohë policia po përpiqet t’i shpërndajë duke hedhur ujë, spray me piper dhe gaz lotsjellës.

Ora 14:58
Protesta te Ministria e Arsimit, momenti kur të rinjtë e maskuar sulmojnë me pllaka trotuari godinën

 

Ky është momenti kur një grup të rinjsh të maskuar qëllojnë me pallka trotuari godinën e Ministrisë së Arsimit. Një prje tyre sulmon me kangella një prej portave të Ministrisë.