TIRANE - Partia Demokratike deklaron se kërcënimi nga ana e kryeministrit serb, Ivica Daçiç për heqjen e monumentit dedikuar dëshmorëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Luginën e Preshevës, është dëshmi e albonofobisë së politikës zyrtare të Beogradit, ndërsa i bën thirrje që “të lënë mënjanë këto praktika dhe të respektojnë pakicën shqiptare.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, PD thekson se “marrja e këtyre kompetencave të autoriteteve lokale të Preshevës nga qeveria e Beogradit përbën shkelje flagrante të Konventave Evropiane për liritë dhe të drejtat njerëzore, autonominë e autoriteteve vendore dhe asaj për minoritetet. Republika e Serbisë si anëtare e Këshillit të Evropës është e angazhuar dhe e detyruar t’i respektojë ato”

Duke theksuar përpjekjet që qeveria shqiptare ka bërë për uljen e tensioneve në Luginën e Preshevës dhe inkurajimin e qëndrimit konstruktiv dhe pjesëmarrës të pakicës shqiptare në Serbi në jetën e vendit, PD shton se “qëndrimi i fundit i autoriteteve të Beogradit, mosrespektimi deri në alergji i të rënëve të kombit shqiptar nga ana e tyre është një provokim ndaj mbarë shqiptarëve, përpjekjeve të tyre serioze për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon nëpërmjet ndërtimit të marrëdhënieve të reja me fqinjët e tyre.”

Në përfundim të deklaratës qeveria shqiptare “i bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të mos provokohen në asnjë rrethanë nga ata të cilët kanë vetëm një qëllim, të spastrojnë etnikisht komunat e tyre, t’i largojnë ata me një mënyrë apo një tjetër nga trojet e tyre etnike mijëravjeçare. Vërtetë vandalet mundet me forcën dhe dhunën shtetërore të rrënojnë një përmendore të luftëtarëve, atë të Martirëve të Lirisë së shqiptarëve por ky është vetëm akt frike. Të rënët tanë nuk vdesin kurrë.”

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)