Ai që u largua ishte një nga zërat më të fortë dhe më kritikë brenda qeverisë për një periudhë të gjatë.
Në një intervistë për Top Story, Luan Rama, me cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së pas largimit të Petrit Vasilit në Qeveri, referuar situatës së fundit të tensioneve mes PS dhe LSI, theksoi se nuk bëhet fjalë për krizë brenda koalicionit.
“Unë nuk e shoh bardhezi këtë. Nuk e shoh as si akt personal të zotit Manjani dhe as si krizë të koalicionit. Është e vërtetë që në marrëdhëniet mes Kryeministrit dhe ministrit ka patur një mori problemesh. Diçka nuk ka funksionuar siç duket”, tha ai.
Luan Rama tha se e gjithë përplasja mes Manjanit dhe Kryeministrit mund të ishte menaxhuar më mirë. Ai shtoi se ishte në dijeni të një kërkese për dorëheqje ndaj ish-ministrit të Drejtësisë.
“I është kërkuar dorëheqja prej Kryeministrit. Nuk e di të ketë një kërkesë të tillë nga zoti Meta. Ai nuk e ka dhënë këtë dorëheqje sepse nuk e ka parë të arsyeshme për ta bërë këtë”, u shpreh Rama.
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së tha se nuk ka sulme ndaj Saimir Tahirit.
“Nuk ka asnjë sulm kundër Saimir Tahirit. Nuk ka asnjë sulm ndaj Ministrisë së Brendshme dhe ndaj Policisë së Shtetit. Ka raste, kur deputetë dhe funksionarë, ministër si Lefter Koka kanë denoncuar në publik një sjellje të caktuar nga segmente të caktuar të Policisë së Shtetit dhe njësitë e qeverisjes vendore”, u shpreh ai.
Luan Rama: Kelmend Balilin nuk e mbron LSI-ja
Kryetari i Kuvendit dhe i LSI-së, Ilir Meta kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili” pasi, siç tha Luan Rama, ka një mungesë koordinimi mes institucioneve të sigurisë për ndalimin e tij.
Në Top Story, Luan Rama veç kësaj përmendi edhe kërkesën amerikane drejtuar Metës.
“Ka një mungesë funksionimi në koordinimin e institucioneve të sigurisë që bënë që sot personi në fjalë të mos jetë para institucioneve të drejtësisë. Metës i është kërkuar zyrtarisht në SHBA që të ndikojë që institucionet e sigurisë të përshpejtojnë ritmin për kapjen e këtij individi dhe për të dëshmuar që shteti është më i fortë. Këtë Meta ja kërkon kryetarit të shtetit përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar këtë gjë”, u shpreh Rama.
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së shkoi edhe më tej, kur foli për elementë brenda strukturave shtetërore që mbrojnë Balilin.
“Brenda strukturave të shtetit në përgjithësi dhe brenda strukturave të Policisë së Shtetit në veçanti, po ashtu të prokurorisë, është ndihmuar Balili”, tha ai.
Luan Rama hodhi poshtë disa akuza se Balilin e mbron LSI-ja.
“Është shprehja më tipike e gjykimit mbi bazat e biografisë së regjimit. Ai është individ dhe përgjigjet si i tillë. Ka qenë një alibi që thotë se nuk arrestohet Balili se e mbron LSI. LSI nuk mbron askënd. Për shkak të LSI-së nuk është i imunizuar askush në këtë vend nëse shkel ligjin”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të LSI-së.
Luan Rama: PS-LSI vazhdon, nuk prishim marrëveshje
Luan Rama la të kuptohej se koalicioni PS-LSI do të vazhdojë.
“Ne luajtëm një rol përcaktues dhe të rëndësishëm me ribashkimin e së majtës dhe për asnjë arsye që nuk ka të bëjë me interesat e vendit, ne nuk prishim një gjë që e kemi krijuar vetë”, tha ai.
Si shembull të këtij vullneti për vijueshmërinë e koalicionit, Rama solli shkarkimin e Manjanit.
“Do të vazhdojmë dhe sot e dëshmuam me përgjegjshëmri dhe maturi këtë”, tha ai.
“Unë flas në emër të LSI-së, nëse prishet nga të tjerët, të tjerët mbajnë përgjegëjsi vetë. Ne nuk prishim marrëveshje për të cilat jemi investuar maksimalisht”, vijoi ai.
Rama përdori ironinë për të mohuar mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike, koalicion i përjashtuar më herët edhe nga vetë PD.
“Opozita nuk është gjëkundi. Partia Demokratike të merret me vetveten se na ka rënë barra që të bëjmë edhe opozitën me qeverisjen”, u shpreh ai.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com