Bisedimet e shumëpërmendura ditët e fundit mes SHBA dhe Iranit mund të nisin në ditët në vijim, ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të larta.
Kjo u raportua nga mediat iraniane këtë të hënë. Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim bëri të ditur se Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pritet të takohet së shpejti me Steve Uitkoff, të dërguarin special të presidentit amerikan Trump për Lindjen e Mesme. Një “burim i mirëinformuar” ka konfirmuar se bisedimet, ku do të përfshihen zyrtarë të lartë nga të dyja vendet, do të nisin së shpejti. Agjencia Fars shtoi se presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka urdhëruar përgatitjet për bisedime me amerikanët mbi programin bërthamor të Iranit, të cilat ka gjasa të zhvillohen në Turqi.
Steve Witkoff pritet të mbërrijë në Izrael të marten dhe gjatë vizitës së tij në Jerusalem, do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu e zyrtarë të lartë të sigurisë izraelite. Diskutimet pritet të përqendrohen kryesisht në fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, por Irani dhe çështja e një sulmi të mundshëm pritet gjithashtu të jenë në qendër të vëmendjes.
Reuters raportoi të dielën se Gjeneralët më të lartë të SHBA dhe Izraelit zhvilluan bisedime në Pentagon të premten, për tensionet me Iranin, duke cituar dy zyrtarë amerikanë në kushte anonimiteti, të cilët nuk dhanë detaje mbi diskutimet me dyer të mbyllura mes gjeneralit amerikan Dan Caine, kryetarit të Shefave të Shtabit të Përbashkët, dhe Eyal Zamir, shefit të shtabit të forcave të armatosura izraelite.
Trump la të hapur mundësinë e sulmeve të dielën në mbrëmje pas kërcënimeve të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, që tha se një sulm amerikan ndaj regjimit të ajatollahëve do të ndizte një luftë rajonale.
"Pse të mos e thoshte këtë? Sigurisht që do ta thoshte. Tani kemi anijet më të mëdha dhe më të fuqishme atje, shumë afër, brenda pak ditësh. Shpresoj të arrijmë një marrëveshje. Nëse jo, do të shohim nëse ai ka të drejtë apo jo." tha Donald Trump të dielën.
Nisja e bisedimeve Iran-SHBA bëhet edhe më e besueshme, pas deklaratave të zëdhënësit të Ministrisë së jashtme iraniane, i cili këtë të enjte tha se Irani do të përcaktojë një kornizë për bisedimet me Shtetet e Bashkuara në ditët në vijim.
Komente







