Britania e Madhe ka tërhequr përkohësisht stafin nga ambasada e saj në Teheran, në një moment kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit po rriten ndjeshëm në rajon.

Ministria e Jashtme britanike konfirmoi se ambasada në kryeqytetin iranian do të vazhdojë të funksionojë në distancë. Lëvizja vjen ndërsa disa shtete po paralajmërojnë qytetarët e tyre të largohen nga Lindja e Mesme për shkak të rrezikut të përshkallëzimit.

Edhe ambasada amerikane në Izrael u ka dhënë mundësi disa punonjësve jo emergjentë të largohen nga vendi. Sipas mediave amerikane, ambasadori Mike Huckabee ka thënë se ata që duan të largohen, duhet të ikin sa më parë. 

Situata u tensionua pas bisedimeve të fundit mes Uashingtonit dhe Teheranit në Gjenevë, të cilat u panë si përpjekja e fundit për të shmangur një përplasje për programin bërthamor iranian. Ndërmjetësi Oman tha se pati “progres të rëndësishëm” dhe se negociatat do të vijojnë, ndërsa nga SHBA nuk ka ende një reagim zyrtar. Teherani foli për “progres të mirë”.

President Donald Trump ka kërcënuar me veprim ushtarak nëse Irani nuk arrin marrëveshje për programin e tij bërthamor. Ai ka urdhëruar shtimin më të madh të forcave amerikane në Lindjen e Mesme që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003. Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet me forcë çdo sulmi.

Edhe Kina, India dhe Kanadaja u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen sa më shpejt nga Irani, për shkak të rrezikut të përshkallëzimit të situatës./BBC