Tensionet SHBA-Iran dhe takimi vjetor i OKB-së

Tensionet SHBA-Iran dhe takimi vjetor i OKB-së

Ndërsa udhëheqësit botërorë mblidhen për takimet e tyre vjetore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme, përshkallëzimi i tensioneve mes Uashingtonit dhe Iranit mund të hedhë hije mbi punimet e tij. Por Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shpreson ta mbajë urgjencën në rritje për ndryshimin e klimës në qendër të vëmendjes. 

Sulmet me dronë ndaj dy objekteve të mëdha të naftës në Arabinë Saudite një javë më parë e kanë shndërruar atë që në fillim u duk si një mundësi për zbutjen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, në një urgjencë për të shmangur një përshkallëzim të rrezikshëm.

Rebelët jemenas të lidhur me Teheranin morën përgjegjësi për sulmet e 14 shtatorit.

Zyrtarë të lartë amerikanë fajësuan Iranin, i cili ka mohuar çdo përfshirje.

Presidenti Trump forcoi sanksionet ndaj Teheranit dhe tha se duket se Irani ishte fajtori.

"Kështu duket. Kemi disa studime të forta që po kryen por sigurisht që ashtu duket tani për tani, Do t’ju njoftojmë sapo të kemi një përgjigje përfundimtare”, tha presidenti.

Perspektiva e një takimi Trump-Rouhani, që u spekuluar gjerësisht në prag të asamblesë në Nju Jork, duket se tani nuk ka gjasa, por mundësia ishte gjithnjë një rrezik më i madh për liderin iranian sesa atë amerikan.

"Pra, nëse ka një takim me Presidentin Trump në Nju Jork, dhe presidenti iranian nuk merr asgjë në këmbim, mundësia e një fotografie mund të funksionojë mirë për Presidentin Trump, në Shtetet e Bashkuara për bazën e tij. Por në Iran, Rouhani do të sulmohej si dikush që ishte naiv, i cili nuk duhet të ishte paraqitur kurrë për atë takim, pasi nuk ka për të marrë asgjë në këmbim", thotë Alex Vatanka me Institutin për Lindjen e Mesme.

Përveç kësaj krize gjeopolitike, ngrohja globale do të jetë në qendër të vëmendjes për shumicën e liderëve të mbledhur në Nju Jork.

"Të flasim hapur. Nuk kemi kohë për të humbur. Po e humbasim garën kundër ndryshimit të klimës", tha Sekretari I Përgjithshëm i OKB-së Antonia Guterres.

Njëqind udhëheqës, që kanë hartuar plane konkrete për uljen e ndjeshme të emetimeve të gazrave serë, pritet të marrin pjesë në samitin e së hënës.

"Do të shfaqim nisma premtuese që synojnë largimin nga qymyri, vendosjen e një çmimi për karbonin, ndalimin e subvencioneve për lëndët djegëse fosile dhe uljen e ndotjes që dëmton shëndetin tonë", tha sekretari Guterres.

Të shtunën, përpara se të takohen udhëheqësit, qindra aktivistë të rinj të klimës kanë samitin e tyre. Greta Thunberg nga Suedia, e cila udhëtoi në Shtetet e Bashkuara me një varkë me vela, do të flasë në atë ngjarje.

Duke filluar nga e marta, liderët do t'i drejtohen Asamblesë së Përgjithshme.

Një nga fjalimet më të pritura do të jetë ai i presidentit amerikan.

"Mendoj se Presidenti Trump, si gjithmonë, do të flasë kryesisht për veten e tij, dhe do të përqendrohet shumë në pretendimin e tij se po bën përparim në diplomacinë bërthamore me Korenë e Veriut. Trump-it i pëlqen ta paraqesë veten si një paqebërës - ai sigurisht që nuk ka patur sukses kur bëhet fjalë për Iranin - kështu që çështja koreane është ajo që ai do ta theksojë fuqimisht", thotë Richard Gowan me Grupin për Krizat Ndërkombëtare.

Fjalime të tjera për t’u ndjekur përfshijnë debutimet e kryeministrit britanik Boris Johnson dhe Presidentit Brazilian Jair Bolsonaro - i cili shpesh quhet "Trumpi i Tropikëve".

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e ardhmja politike e të cilit është në pikëpyetje pas zgjedhjeve parlamentare të së martës, u tërhoq nga axhenda e takimeve.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës