Një kompani që prodhon dronë në Estoni është vënë në shënjestër të një tentative sabotimi, që sipas autoriteteve estoneze ishte urdhëruar nga inteligjenca ushtarake ruse. Kryeministri Kristen Michal paralajmëroi se vendi po përgatitet për mundësinë e mbylljes së kufirit me Rusinë, për të mbrojtur sigurinë kombëtare.

Objektiv i sulmit ishte kompania “Threod Systems”, e cila prodhon dronë dhe sisteme mbikëqyrjeje. Sipas Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Estonisë, tentativa ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës  ndërsa autorët synonin të shkaktonin një shpërthim dhe t'u vinin flakën ambienteve të kompanisë.

Në një postim në rrjetet sociale të dielën, kryeministri Michal deklaroi se dëmet e mëdha u shmangën falë masave të shtuara të sigurisë dhe ndërhyrjes së shpejtë të forcave të rendit. Ai konfirmoi se personat e dyshuar janë arrestuar, ndërsa mediat vendase raportojnë se tetë persona janë ndaluar në lidhje me ngjarjen.

“Kjo është pjesë e luftës më të gjerë hibride të Rusisë kundër Europës, me synimin për të ulur mbështetjen për Ukrainën dhe presionin ndaj Rusisë”, shkroi Michal.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se Estonia po përgatitet për një mbyllje të mundshme të kufirit me Rusinë, me qëllim “uljen e rreziqeve për qytetarët tanë dhe sigurinë kombëtare”. Kompania “Threod Systems”, e themeluar në vitin 2012, ndodhet në komunën Viimsi, pranë kryeqytetit Talin, dhe zhvillon dronë pa pilot si dhe sisteme elektro-optike për mbikëqyrje.

Dyshimet e autoriteteve lidhen me GRU-në, shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse, i cili dyshohet se qëndron pas një sërë sulmesh hibride në territorin europian gjatë viteve të fundit. Kjo nuk është hera e parë që një kompani estoneze e mbrojtjes bëhet objektiv i një sulmi të tillë. Në gusht, kompania “Milrem Robotics” u godit nga një sulm me zjarrvënie, për të cilin autoritetet estoneze deklaruan se ishte urdhëruar nga shërbimet speciale ruse.

Estonia, e vendosur në krahun lindor të NATO-s, është ndër vendet baltike që përballen me rreziqe sigurie të lidhura me luftën e Rusisë në Ukrainë. Në rajon janë shtuar raportimet për sulme kibernetike, hyrje të dronëve në hapësirën ajrore dhe tentativa sabotimi.


Lajmi kryesor:

Lufta në Ukrainë/ Kremlini kërcënon: Nëse nuk ka marrëveshje me Evropën, ne do të përdorim forcën për të arritur qëllimet tona