Një 24-vjeçar është arrestuar pasi tentoi të fuste në Shqipëri nëpërmjet Portit të Durrësit 3250 fara kanabisi.

Në furgon, të riut përveç farave të kanabisit, iu gjet dhe një pajisje që dyshohet se përdoret për kultivimin e bimëve narkotike.

“Port Durrës/Kontrolle intensive për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Finalizohet operacioni i koduar “Parandalimi 2”.

Tentoi të trafikonte fara Cannabisi, në Shqipëri, arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, 24-vjeçari.  

Sekuestrohen rreth 3250 fara Cannabisi, pajisje që dyshohet se përdoret për kultivimin e bimëve narkotike dhe furgoni me të cilin tentoi t’i trafikonte.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, si dhe në informacione të siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, operacionin e koduar “Parandalimi 2”.  

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 24 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në furgonin e tij, në hyrje të RSh-së, gjetën disa qese me rreth 3250 fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe një pajisje që dyshohet se përdoret për kultivimin e bimëve narkotike.          

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë