Bardhyl Fusha, i cili pak ditë më parë tentoi të grabiste me kallashnikov një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.

Bardhyl Fusha nuk ka dhënë asnjë deklaratë përpara gjykatës gjatë dhënies së masës së sigurisë. Ai është shfaqur në gjendje të rënduar për veprimin e kryer, ndërsa të gjithë mbrojtjen ia ka lënë avokatit të tij.

Ndërkohë avokati i tij Mirash Ndoci ka kërkuar që të vlerësohet gjenja psikologjike dhe mendore e klientit të tij, në momentin e ngjarjes.

Avokati gjithashtu ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie sesa ajo e ‘arrestit me burg’ për klientin e tij, pasi sipas tij, Bardhyl Fusha i është dorëzuar menjëherë Policisë, pa shkaktuar dëme në jetë njerëzish.

Sipas avokatit nuk ka pasur një grabitje të mirëorganizuar dhe klienti i tij ka vepruar në kushtet e një presioni të rëndë financiar.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi në 12 shkurt dhe shtetasi i arrestuar Bardhyl Fusha është një sipërmarrës në fushën e ndërtimit. Ai ka deklaruar pas arrestimit se ka pasur borxhe ndaj punonjësve për të shlyerë dhe kjo e ka detyruar të ndërmerrte këtë akt.

Fusha arriti të merrte 8 milionë lekë të vjetra nga arka e bankës, por u arrestua menjëherë sapo doli nga ambientet e institucionit financiar. Ndërkohë një detaj tjetër interesant është zbuluar mbi këtë rast, pasi bëhet e ditur se ditën e ngjarjes Fusha ka shkuar në një lokal pranë bankës, ka pirë kafe dhe raki, dhe më pas është nisur për të grabitur bankën.