DURRËS- Një 20-vjeçar është arrestuar në Portin e Durrësit pasi ka tentuar që të kalojë kufirin me dokumente false. 20-vjeçari turk paraqiti në sportel, dokumente të dyshuara të falsifikuara, për të dalë nga Shqipëria.
Bëhet fjalë për pasaportë turke, leje për qëndrim në Francë dhe leje drejtimi franceze.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Port Durrës, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë goditur një rast të tentativës për të kaluar kufirin, me dokumente të falsifikuara. Për këtë rast është arrestuar në flagrancë shtetasi turk:
B. B., 20 vjeç, banues në Turqi.
Ky shtetas ka paraqitur në sportel, në dalje të RSh-së, dokumente (pasaportë turke, leje për qëndrim në Francë dhe leje drejtimi franceze), të dyshuara të falsifikuara, të cilat pas kryerjes së veprimeve procedurale, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.