Një 46-vjeçare moldave ka tentuar të vrasë burrin e saj shqiptar me helm miu. Ngjarja ka ndodhur në Rimni të Italisë, ku 46-vjeçarja moldave nuk kishte tentuar vetëm njëherë që ta vriste bashkëshortin e saj shqiptar. Hetimi për këtë ngjarje nisi nga raporti i Spitalit të Brendshëm në Rimini, pasi kanë evidentuar shtrimet e përsëritura të burrit që nga muaji korrik 2022. Në të gjitha rastet e shtrimit ai ka shfaqur simptoma të helmimit nga një helm miu. Instituti i Mjekësisë Ligjore i Universitetit të Padovës ka kryer teste dhe ka analizuar ekzaminimet klinike të cilat kanë vërtetuar që në gjakun e shqiptarit kishte përmbajtje të helmit të miut.
Arrestimi
Dy bashkëshortët, ajo moldave dhe shqiptari 54 vjeç, ishin ndarë prej disa kohësh, por ishin pajtuar sërish rreth një vit më parë. Megjithatë, shtrimet e përsëritura të burrit për helmim e kishin bërë të dyshonte departamentin e mjekësisë së brendshme të spitalit të Rimini. Situata u raportua më pas në policinë e Riminit, e cila pas një hetimi të zhvilluar në prokurori, dha urdhër që gruaja të arrestohej të mërkurën e kaluar. Tashmë 46-vjeçarja ndodhet në arrest shtëpie në shtëpinë e nënës së saj.
Mbrojtja
Më 1 korrik, 46-vjeçarja u mor në pyetje nga Gjykata në Rimini, me akuzën se kishte helmuar të shoqin gjatë ngrënies. Avokati Luca Greco mohoi të gjitha akuzat. Para trupës gjykuese 46-vjeçarja tha se ajo dhe partneri i saj hanin gjithmonë bashkë. Avokati nënvizoi gjithashtu se porcionet bëheshin direkt në tavolinë, duke hedhur poshtë mundësinë e helmimit të ushqimit.
Shiringa
Megjithatë, ishte vetë 54-vjeçari që u tha hetuesve se i vetmi person që mund ta helmonte ishte gruaja e tij. Gjatë kontrollit në shtëpi, policia kishte gjetur në sirtarin e garderobës së dhomës së gjumit një shiringë me një substancë të kuqe, e cila pasi iu nënshtrua analizave rezultoi se kishte të njëjtën substancë q ëu gjet në gjakun e shqiptarit.