Një 28-vjeçar në Lezhë ka rënë në prangat e Policisë, pasi tentoi të vriste duke goditur me automjet nënën 43-vjeçare të bashkëjetueses së tij, duke i shkaktuar dëme trupore.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se menjëherë pas ngjarjes, 28-vjeçari Cuf Behi është larguar nga vendi i ngjarjes. E dëmtuara është Klementina Huti.

Gjatë aksionit Policia ka sekuestruar automjetin e përdorur në ngjarje, ndërkohë që mbi 28-vjeçarin rëndon vepra penale "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare", mbetur në tentativë.

Ndërkohë bashkëshorti i Klementinës, Agron Huti, ka thënë se gjithë problemin 28-vjeçari e kishte me nusen e tij. Ai ka treguar gjithashtu se bashkëshortja e tij ka dëmtime në pjesën e shpatullës, deri te kofsha.

“Parmbrëmë në orën 02:04 minuta. Në moment e kam çuar me makina kështu, pastaj ka ardhur Policia atje. E kemi çuar te spitali i Traumës. Pjesën e shpatullës deri te kofsha. Komplet pjesën e brinjëve. S’kam pasur probleme fare. Krejt inatin e ka pasur me nusen, me nusen teme”, ka thënë bashkëshorti i të dëmtuarës.

Lezhë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Reagimi”.

Tentoi të vriste, duke e goditur me automjet nënën e bashkëjetueses, duke i shkaktuar dëmtime trupore, dhe u largua nga vendi i ngjarjes, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 28-vjeçari.

Sekuestrohet automjeti i përdorur në ngjarje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë dhe Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin policor të koduar “Reagimi”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi C. B., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se, rreth orës 02:05, në lagjen “Skënderbeg”, në Lezhë, 28-vjeçari ka shkuar me automjet për të marrë bashkëjetuesen e tij. Në këtë moment kanë dalë familjarët e saj dhe, për motive që lidhen me marrëdhëniet familjare, ai dyshohet se ka përplasur me automjet nënën e bashkëjetueses, shtetasen K. H., 43 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime trupore, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe veprimeve intensive të Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi C. B., 28 vjeç, për veprën penale "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare", mbetur në tentativë.

E dëmtuara u transportua në Spitalin e Traumës, në Tiranë, ku vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i përdorur në ngjarje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

R.Xh/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 24 Qershor, 15:40

    Si ju duket plani i protestës për të shpërndarë qeverinë e Kuvendin dhe zgjedhja me short mes qytetarëve?