Një shofer në Tiranë është vënë nën hetim pasi tentoi t'i japë 2 mijë lekë një punonjësi të Policisë Rrugore për t'i shpëtuar gjobës.

Ai u ndalua gjatë kontrolleve në rrugën "Urani Pano", ku rezultoi se po drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit, me 0.17 mg/l në testin e alkoolit. Në vend që të pranonte masën administrative, i ofroi para efektivit të policisë.

Rasti është zbuluar gjatë kontrolleve që Policia Rrugore ka zhvilluar në 72 orët e fundit në akset me qarkullimin më të madh në kryeqytet.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 7 drejtues mjetesh për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, ndërsa janë bllokuar 22 automjete dhe janë tërhequr 20 leje qarkullimi.

Bilanci i kontrolleve tregon edhe numrin e lartë të shkeljeve të konstatuara. Janë vendosur gjithsej 6819 gjoba, ku pjesa dërrmuese, 5062, ishin për qëndrim të gabuar.

Dhjetë drejtues u ndëshkuan për drejtim mjeti në efektin e alkoolit, 59 për tejkalim të shpejtësisë, 164 për përdorim të celularit në timon, 166 për mosdhënie përparësie këmbësorëve, ndërsa qindra të tjerë u gjobitën për mosvendosje të rripit të sigurimit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe shkelje të tjera të Kodit Rrugor.