Tre drejtues automjetesh të moshave 30, 35 dhe 47 vjeç janë vënë nën hetim pasi dyshohet se tentuan të korruptonin policinë. 

Sipas policisë, dy raste u konstatuan në Durrës dhe një në Kavajë. Tre personat dyshohet se u ofruan para punonjësve të Policisë Rrugore në mënyrë që të shmangnin gjobat pasi kishin shkelur rregullat e qarkullimit dhe kishin dokumentacion të parregullt. 

Ndërkohë materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë:

DVP Durrës/Policia Rrugore godet 3 raste të tentativës për mitëdhënie. 

Procedohen penalisht 3 drejtues mjetesh që iu ofruan para punonjësve të Policisë Rrugore, për të shmangur ndëshkimin me masë administrative.

Shërbimet e Policisë Rrugore në Durrës dhe Kavajë, në kuadër të monitorimeve intensive për identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, kanë ndaluar disa drejtues automjetesh që janë konstatuar duke kryer shkelje. 

Në 2 raste në Durrës dhe në 1 rast në Kavajë, 3 drejtues automjetesh me dokumentacion të parregullt kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore, për të shmangur masën administrative për këtë shkelje.   

Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për drejtuesit e automjeteve, shtetasit K. M., 47 vjeç, E. A., 30 vjeç, të dy banues në Durrës dhe A. K., 35 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike". 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.  

Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo shkelje të tyre, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm nga shërbimet e Policisë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë